Futboll

Tërbohet Al-Khelaifi, ulëret dhe kërcënon pas humbjes ndaj Real Madridit

Gazeta Si - Sipas spanjolles “Marca”, u deshën disa persona që të largonin pronarin e PSG-së, i tërbuar për faullin ndaj Donarumës në momentin e golit të barazimit. Edhe Leonardo ka pohuar se është një gabim i madh, por nuk ka kërkuar justifikime.

Pas humbjes 3-1 të PSG-së në “Bernabeu”, Al-Khelaifi nuk është përmbajtur dot. Ai ka lënë tribunën dhe ka zbritur me shpejtësi për në dhomat e zhveshjes, shumë nervoz për atë që ndodhi në fushë, ku Reali barazoi me një faull të Benzema ndaj portierit Donaruma.

“Marca” shkruan se Naser Al-Khelaifi, i shoqëruar nga drejtori sportiv Leonardo, tentoi të futej në dhomën e arbitrave, duke ulëritur dhe duke goditur me grusht dyert që gjente përpara. Gabimisht hyri në dhomën e Megia Davila, ish-arbitër dhe aktualisht delegat. Për ta larguar u dhesh ndërhyrja e disa personave, madje u thirr edhe policia.

Kjo skenë e turpshme është filmuar me telefon nga një prej punonjësve të Real Madridit. Al-Khelaifi vrapoi tek ai, duke i bërtitur: "Do të vras!” U ndal vetëm nga truprojat, ndërsa Leonardo i kërkoi punonjësit të Realit të fshinte atë që kishte filmuar.

"Është një goditje e fortë, - tha Leonardo pas ndeshjes. – Te momenti i 1-1 ka një faull të qartë të Benzema ndaj Donarumës. Portieri ynë tentoi zgjidhjen më të komplikuar dhe rrezikoi, por ka faull. Nuk e di pse VAR-i nuk ndërhyri dhe jemi të zhgënjyer. Goli i parë i Realit ndryshoi ndeshjen. Duhet të pranojmë gabimet tona dhe duhet të reflektojmë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë