Ka ndodhur

Tentuan të vrasin të moshuarën dhe nipin e saj në Vlorë, shpallet në kërkim ish-dhëndri, arrestohen dy bashkautorët

Policia ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë ku dy shtetas nga Kosova kanë tentuar të vrasin një të moshuar dhe nipin e saj të mitur në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Llakatund, ku kosovarët, njëri prej tyre ish-dhëndri, kishin dhunuar fizikisht një 70-vjeçare dhe nipin e saj 14-vjeçar, dhe më pas kishin tentuar t’i vrisnin ata, duke i vënë zjarrin banesës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Llakatund, Vlorë, dyshohet se për motive të dobëta, 2 shtetas kishin dhunuar fizikisht një 70-vjeçare dhe nipin e saj 14-vjeçar, dhe më pas kishin tentuar t’i vrisnin ata, duke i vënë zjarrin banesës ku këta 2 shtetas gjendeshin pa ndjenja, kanë organizuar punën për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka arrestuar njërin prej tyre teksa largohej drejt Kosovës, dhe një tjetër kosovar që e shoqëronte, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.

“U kap në Morinë, në tentativë për t’u larguar drejt Kosovës, njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi G. B., 42 vjeç, banues në Kosovë. Gjithashtu për këtë rast, u vu në pranga shtetasi D. K., 32 vjeç, banues në Kosovë (shoqërues i shtetasit G. B.), i cili dyshohet se duke patur dijeni për këtë krim, nuk e kallëzoi atë. Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim autori i dyshuar kryesor i kësaj ngjarjeje, shtetasi H. B., 51 vjeç, banues në Kosovë. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij”, vijon njoftimi i policisë.

Si rezultat i veprimeve hetimore paraprake, bazuar dhe në kallëzimet e shtetasve të dëmtuar, dyshohet se shtetasi Haki Bajrami, në bashkëpunim me 42-vjeçarin Gëzim Bacaj, kanë tentuar të vrasin të moshuarën dhe nipin e saj të mitur (ish-vjehrra dhe thjeshtri i Haki Bajramit), duke i dhunuar ata dhe pasi i kanë lënë pa ndjenja, i kanë vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin e moshuara bashkë me nipin.

Këta të fundit kanë mundur të dalin nga banesa që ishte duke u djegur dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e së moshuarës dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve Haki Bajrami dhe Gëzim Bacaj, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasit Durim Kelmendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë