Futboll

Tension i lartë në Madrid, 5 të arrestuar dhe një polic i plagosur

Po vjen duke u rritur tensioni në Madrid, në prag të finales së Ligës së Kampionëve mes Totenhemit dhe Liverpulit. Gjatë natës së mbrëmshme janë regjistruar disa rrëmuja nga tifozët anglezë në Puerta del Sol. Për të garantuar sigurinë dhe për ta mbajtur situatën nën kontroll, janë në gatishmëri më shumë se 5 mijë forca policore, ndërkohë që është instaluar edhe një sistem antidron.

Tifozët e Liverpulit dhe të Totenhemit kanë pushtuar Madridin dhe disa prej tyre kanë nisur përleshjet agresive nëpër rrugë. Episode që janë zgjidhur menjëherë nga forcat e rendit, që kanë bërë edhe disa arrestime. Janë pesë të arrestuarit, ndërkohë që gjatë përplasjeve të tyre me policinë ka mbetur i plagosur një agjent. Kuestura ka bërë të ditur me një njoftim publik se i ka arrestuar tifozët anglezë gjatë natës për sjellje agresive edhe ndaj forcave të rendit.

Tifozë të Liverpulit në Madrid

Që prej së premtes në mbrëmje, Madridi është blinduar nga agjentët e policisë, të cilët janë të angazhuar për të kontrolluar të gjithë territorin. Pranë stadiumit “Wanda Metropolitano” është instaluar edhe një sistem antidron, që shërben për të monitoruar më mirë situatën dhe për të shmangur rreziqet e ndryshme që mund të vijnë nga jashtë. Mbi stadium do të fluturojë gjithë kohën një dron për të mbikëqyrur gjithçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë