Gazeta Si – SPAK i komunikoi akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkeljen e barazisë në tenderë Sonila Qatos, e cila mbajti për 9 muaj detyrën e drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar deri në shtator 2019, kur dha dorëheqjen në kulmin e një përplasjeje me një subjekt privat.
Ish-zyrtarja dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave konsiderohen nga SPAK në shkelje të detyrës për përzgjedhjen e një tenderi për aksin rrugor Kardhiq-Delvinë.
Hetimet ndaj Qatos po zhvillohen për shkak të kallëzimit që është bërë nga një kompani ndërtimi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Sipas KLSH, ka dyshimet që me tenderin e kësaj rruge ka abuzime në vlerën 5 milionë Euro. Ndërsa në kallëzimin e kompanisë, kjo e fundit pretendon se është skualifikuar nga gara për tenderin në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje të ligjit.
Për herë të parë, Qato u paraqit në SPAK edhe në fillim të muajit tetor, pasi ishte thirrur për të dhënë deklarime, si person që kishte dijeni.
Qato, e cila ka mbajtur edhe portofolin e ministres së Sipërmarrjes, tha se e dha dorëheqjen nga ARRSH, për të lejuar SPAK-un të hetojë një proces pa trysni politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.