Komunitet

Telefoni po “vret” fëmijët!

Në intervistat e dhëna ndër vite të Bill Gates, Steve Jobs dhe prindër të tjerë të “Silicon Valley”, kupton që ata janë shumë të rreptë sa i takon përdorimit të teknologjisë nga fëmijët e tyre dhe koha u ka dhënë të drejtë.

Një grup sociologësh dhe psikologësh deklarojnë se shenjat e para për efektet anësore të teknologjisë, veçanërisht të telefonave inteligjentë tek fëmijët janë dhënë vite më parë.

Joe Clement dhe Matt Miles, bashkë-udhëheqës të studimit kanë hedhur në një libër përfundimet e nxjerra nga puna disavjeçare.

Sipas tyre, fëmijët që përdorin pa kufizime rrjetet sociale kanë një mundësi 27 për qind më të lartë se të tjerët që përdorin pak, ose aspak këto rrjete që të goditen nga depresioni.

Një tjetër e dhënë alarmante është edhe fakti që në Shtetet e Bashkuara, vetëvrasjet mes adoleshentëve kanë njohur rritje që nga viti 2007, kur nisi përhapja masive e telefonave inteligjentë, për të mbërrritur në vitin 2016, ku numri i vetëvrasjeve ishte më i lartë se adoleshentët e vrarë.

Clement dhe Miles, në librin e publikuar deklarojnë se risqet i kuptuan të parët vetë themeluesit e Microsoft dhe Apple.

Steve Jobs dhe Bill Gates kanë përsëritur vazhdimisht se nuk lejonin që fëmijët e tyre të zotëronin produktet që ata vetë kishin prodhuar.

Steve Jobs deklaronte në 2011, një vit para se të vdiste se kufizonte në maksimum përdorimin e iPad-it nga fëmijët e tij, ndërsa Bill Gates shprehej në 2007 se ua lejoi telefonin vetëm pasi mbushën 14 vjeç.

Edhe në Gjermani dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian janë ndërmarrë studime të ngjashme. Rezultati i tyre është i njëjtë; teknologjia tek fëmijët është shkatërrimtare dhe ndikon për keq në të ardhmen e tyre.

Në disa lande gjermane, telefonat dhe pajisjet e tjera që mundësojnë lidhjet në rrjet janë të ndaluara rreptësisht për fëmijët, edhe ligjërisht. Nëse këto ligje lokale shkelen, atëherë prindërit gjobiten.

Masa të ngjashme po diskutohen edhe në disa rajone italiane, kryesisht në veri, ku masat konkrete janë ndërmarrë me ndalimin e telefonit nëpër shkolla dhe institucione të tjera arsimore parauniversitare.

Në Angli nga ana tjetër, një anketë tregoi përmasat shqetësuese të përhapjes së teknologjisë dhe ndikimit të saj. Sipas anketës të kryer nga Shoqata Kombëtare e Parandalimit të Dhunës ndaj Fëmijëve (NSPCC), 4 në 10 fëmijë kanë krijuar varësi nga interneti. Për adoleshentët shifrat janë më alarmante. Dy të tretat e fëmijëve nga 11 deri në 17 vjeç shpenzojnë të paktën 2 orë në internet në ditë.

Kjo, paralajmëron shoqata, i ekspozon ata ndaj rreziqeve të internetit dhe përmend këtu dy vetëvrasje të ndodhura në 2014, një 17-vjeçar dhe një 15-vjeçar, të cilët i dhanë fund jetës pas shantazhit dhe bullizmit që kishin pësuar në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë