Politike

Teknologjia bllokon reformën, PD propozon Kushtetuesen si Kolegj Zgjedhor

Palët në tryezën e Këshillit Politik dështuan edhe këtë të premte në përafrimin e qëndrimeve të tyre për një reformë zgjedhore konsensuale. Takimi që zgjati mbi 3 orë u mbyll pa një rezultat konkret, që vendos në rrezik jo vetëm përfundimin e reformës brenda 31 majit, por edhe vetë miratimin konsensual të saj.

Burime të gazetë “Si” konfirmojnë se Partia Demokratike ka shprehur vullnet për të lëshuar terren tek përdorimi i teknologjisë për numërimin elektronik, por nuk tërhiqet nga kërkesa për identifikimin biometrik të zgjedhësve. Opozita thotë se ky është një kusht i panegociueshëm.

“Pa u siguruar kjo, çdo numërim do të ishte numërim i pavërtetë, do të ishte numërim i votave të falsifikuara, çdo rezultat zgjedhor i shpallur do të ishte rezultat i manipuluar. Refuzimi edhe sot nga maxhoranca jo vetëm është një kundërshtim ndaj një nga çështjeve kryesore të opozitës, por bën të pamundur arritjen e konsensusit mbi çështje të tjera të rëndësishme, siç është edhe administrimi i zgjedhjeve dhe shpallja e rezultatit”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi.

Socialistët teorikisht janë shprehur pro përdorimit të teknologjisë, por thonë se para se të miratohet përdorimi i saj në të gjithë vendin duhet që të sigurohet një plan i qartë, duke përfshirë këtu edhe kostot financiare të tij, por edhe për të shmangur skenarin ku avaritë teknologjike të cenojnë procesin. Për këto arsye, mazhoranca këmbëngul në shtrirjen e pjesshme të teknologjisë, duke propozuar deri në 10 për qind të vendit.

Çështja tjetër që ndan palët është Kolegji Zgjedhor. Opozita propozonte që anëtarë të Kolegjit të zgjidheshin edhe gjyqtarë që nuk kanë kaluar procesin e vettingut, ndërsa këtë të premte, pas rezistencës së mazhorancës ndaj kësaj kërkese ka paraqitur një tjetër propozim.

“Ne sot bëmë edhe një propozim në lidhje me Kolegjin Zgjedhor, në alternativë të propozimeve të mëparshme duke sugjeruar që të jetë Gjykata Kushtetuese. Pra, pa hyrë në detajin e këtij propozimi, të jetë Gjykata Kushtetuese trupa e cila do të shqyrtonte shkeljet e të drejtave kushtetuese të zgjedhësve dhe të kandidatëve në zgjedhje”, shtoi Bylykbashi.

Përfaqësuesi i socialistëve, Damian Gjiknuri nuk e rrëzoi menjëherë këtë propozim. Ai tha se ekspertët po punojnë për këtë temë për të parë nëse propozimi ka nevojë për ndërhyrje në Kushtetutë, apo jo.

"PD bëri propozim që Kolegj Zgjedhor të jetë gjykata Kushtetuese. U lamë kohë ekspertëve që të përgatisin, e para cfarë parashikon Kushtetuta. Nuk dhamë kundërshti, por të marrim kohë ta shikojmë si propozim. Por, aty ka disa probleme sepse Kushtetuta i ka të qarta kompetencat e Gjykatës Kushtetuese" tha ai.

Ndërkohë, në lidhje me ndryshimin e sistemit, e vetmja që foli për këtë temë ishte përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, ndërsa mes PS-PD ka një dakordësi në heshtje për të mos e trajtuar këtë çështje në Këshillin Politik.

"PD nuk ka sjellë asnjë propozim për ndryshimin e sistemit”, tha Gjiknuri.

Por, Partia Demokratike nuk heq dorë nga kërkesa për një qeveri kujdestare. Gjiknuri e ka anashkaluar gjithmonë këtë çështje, duke deklaruar se bëhet fjalë për një kërkesë tërësisht politike, për të cilën Këshilli i ngritur për reformën zgjedhore nuk ka tagër që të diskutojë. Megjithatë, si rrugëzgjidhje ai propozon një takim Rama-Basha.

"Është në dorën e tyre për të vendosur, por mendoj se një takim mes Ramës bën shumë mirë Shqipërisë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë