Futboll

“Të zinjtë nuk janë pjesë e traditës sonë”, racizëm në Rusi

Parullë raciste gjatë një ndeshjeje të kampionatit rus. Gjatë sfidës me Krasnodarin, një grup ultrasish të Zenitit kanë gjetur këtë mënyrë për të kundërshtuar blerjen e brazilianit Malkom nga Barcelona.
Nuk ka paqe për Malkom, lojtari që mori vëmendjen edhe verën e kaluar, kur ishte gati një lojtar i Romës, por më pas u zyrtarizua te Barcelona. Tani ka kaluar te Zeniti në Rusi, por pritja për të nuk ka qenë aspak pozitive. Një pjesë e tifozëve të Zenitit, ata më fanatikët, kanë dalë hapur kundër kësaj blerjeje. Ky grup tifozësh ka dashur të saktësojë se nuk janë racistë, por nga qëndrimi i tyre ndaj drejtuesve të klubit nga Shën Petërburgu vështirë të mohohet racizmi. “Kjo blerje është mungesë respekti ndaj traditës së klubit tonë, - është qëndrimi kundër i tifozëve të Zenitit, i përmbledhur në një parullë të shpalosur gjatë ndeshjes në shtëpi ndaj Krasnodarit. – Nuk jemi racistë, por për ne është një traditë shumë e rëndësishme të mos kemi lojtarë me ngjyrë në ekip.”

Braziliani Malkom, kur luante me Barcelonën. Gazeta Si, 5 gusht 2019

Malkom ka debutuar kështu në mënyrën më të keqe në kampionatin rus. Ndeshja përfundoi 1-1, ndërkohë që ai vinte pas një jave të komplikuar. Ka pasur edhe një “betejë” në rrjetet sociale mes Romës dhe Zenitit. Roma, mjaft e nervozuar nga vera e vjetshme, kur mbylli gjithçka me këtë lojtar, por ai më pas u federua te Barcelona, i dedikoi një postim ironik në Tuiter, ku shkruante: “Shko dhe çoje madhështinë tënde në kampionatin rus!”. Zeniti u hakmor menjëherë, duke përfshirë në videon e prezantimit të Malkom edhe Romën si pjesë të së kaluarës së tij futbollistike “nga data 22 në 23 korrik 2018”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë