Shendet

Të vjella, dhimbje fyti, këputje për një kohë të gjatë… Pacientët me viroza mendojnë se kanë Covid

Nga Gazeta Si - Rastet me Covid-19 në vendin tonë janë stabël por ajo që mjekët kanë vënë re është se ka një shtim të rasteve të personave që kanë simptoma të rënda që i bëjnë të dyshojnë për Covid, por rezultojnë negativ.

A.L, 27 vjeç, thotë për Gazetasi.al se ky muaji i fundit ka qenë një ndër më të vështirët për të.

“Kam kaluar dy herë Covid-19 këto 3 vite dhe në asnjë rast nuk kam kaluar këto simptoma kaq të rënda sa këtë muaj”, thotë 27-vjeçarja e cila shton se disa nga simptomat kanë qenë dhimbje stomaku, ndjesi të vjellash dhe këputje.

“Mezi po e marr veten edhe pas një muaji”.

Ajo dy herë është testuar për Covid dhe në të dyja rastet ka rezultuar negative, edhe pse ajo është e sigurt se ka kaluar Covid apo një variant të Covid.

Mjeku në Poliklinikën nr. 6 Besar Hysi thotë për Gazetasi.al se ka shtim të rasteve të personave që dyshojnë se po kalojnë Covid por shumë rrallë rezultojnë pozitiv.

“Janë shtuar personat që kanë simptoma si dhimbje fyti, kollë, temperaturë 38-39 që vijnë duke menduar se kanë Covid por shumë pak prej tyre kanë rezultuar pozitiv”, thotë mjeku duke shtuar se në përgjithësi janë të rinjtë që po shfaqin më shumë probleme.

Edhe Shefja për Sëmundjet Infektive në ISHP, Silva Bino thotë për Gazetasi.al se shpesh pacientët mendojnë se kanë Covid por që rezultojnë negativ.

“Pacientët dyshojnë se kanë Covid por pas vizitës dhe analizave ka rezultuar se janë edhe virozat respiratore që po qarkullojnë në vend”, thotë Bino.

Mjeku Hysi thotë për Gazetasi.al se në këtë periudhë ka raste me gastroenterit, një inflamacion i zorrës që shkakton diarre, të vjella dhe humbje oreksi.

“Si gastroenteritis ashtu edhe tonsiliti (bajamet e infektuara) janë inflamacione që janë normale të kohës, duke qenë se temperaturat janë të larta”, pasi vetë temperaturat i bëjnë njerëzit më të prekshëm ndaj virozave.

Tek të rriturit dy nga shkaktarët më të zakonshëm të gastroenteritit janë infeksionet bakteriale dhe ato virale. Të dy infeksionet janë shumë ngjitës dhe zakonisht përhapen nga një person tek tjetri me anë të duarve të palara ose nga kontakti me një person të infektuar, siç është ngrënia e ushqimit në enë të përbashkëta.

Më herët, mjekët kanë thënë për Gazetasi.al se edhe muajin qershor do të kemi prani të viroza në vendin tonë.

Sipas mjekut pneumolog, Ardian Jorgji, një arsye pse këtë vit kemi pasur shtim të rasteve edhe për shkak të ndotjes.

“Njerëzit që jetojnë në mjedis të ndotur kanë imunitet më të dobët. Ndotja është një nga arsyet kryesore e shtimit të rasteve, e kombinuar edhe me ‘relaksimin’ e njerëzve, viruset në qarkullim dhe luhatjet e motit”, ka thënë Jorgji për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë