Ushqim

Të veçantat e vaniljes dhe një tortë me shije tiramisu dhe akullore vanilje nga kuzhiniere Nila

Vanilja është shija më klasike në botë e cila nuk shërben thjesht për zbukurim apo për shije ekstra por ka vlera të mëdha ushqyese.

Vanilla Planifolia e njohur si Vanilja vjen nga farat e gjata, të verdha të një orkide aromatike tropikale të vaniljes. Është anëtar i familjes së orkideve, familja më e madhe dhe më e vjetër e bimëve lulëzuese në botë dhe është i vetmi frut i ngrënshëm i të gjithë familjes së orkideve, që përfshin afërsisht 25.000 lloje orkidesh dhe mbi 10.000 hibride.

Vanilja është gjithashtu shumë e shtrenjtë dhe për këtë ka disa arsye:

Një ndër këto arsye është edhe fakti se vanilja është një produkti që kërkon shumë punë.

I gjithë procesi i kultivimit, pllenimit dhe vjeljes së vaniljes bëhet me dorë, pa përdorur makineri, plehra kimikë ose pesticide.

“Orkidet lulëzojnë vetëm një herë në vit dhe çdo gjë bëhet atë ditë. Pra vanilja është prodhimi më intensiv i punës në botë prandaj është më e shtrenjta në botë pas shafranit”, shpjegon "Vanilla Queen "Patricia Rain, historiane e kuzhinës dhe pronare e Kompanisë Vanilla.

Procesi i pllenimit me dorë është i vështirë dhe kërkon që një person me përvojë ta kryejë atë me sukses. Kjo bëhet nga fermerë të cilët e kanë bërë atë gjë për vite me radhë, brez pas brezi. Pastaj të korrat duhet të thahen dhe kështu që nga fillimi në fund (rritja për eksport) procesi zgjat një vit.

Indianët në Vera Cruz ishin të parët që kultivuan vaniljen dhe rrethi është hapur shumë ku sot eksportuesit më të rëndësishëm janë Madagaskari dhe Réunion (një ishull Francez). Në Azi, Indonezia është prodhuesi më i suksesshëm.

Një arsye tjetër pse vanilja është e shtrenjtë është edhe fakti se rreth 80% e vaniljes rritet në Madagaskar. Vitet e fundit ky ishull është shkatërruar nga stuhitë e shumta duke shkatërruar mijëra bimë dhe duke çuar çmime deri në më shumë se 600 dollarë për kilogram.

"Kjo është 10 herë më shumë sesa ishte disa vjet më parë", thotë Rain.

Vanilja mund të përdoret kudo në ushqim, ndër të tjera.

Një recetë ku mund ta përdorni vaniljen është edhe torta me shije tiramisu dhe akullore vanilje

“Tortën me shije tiramisu dhe akullore vanilje, mund ta them se është ëmbëlsira e preferuar e ditëve të nxehta, aspak e vështirë, jo shumë e ëmbël dhe që mund ta përdorni jo vetëm për qejf por dhe gëzime familjare”, tregon kuzhiniere Nila Iljazi.
Për të bërë duhen këto përbërës:
-1 pako biskota të tipit (Savoiardi)
-kafe express
-200 gr pana për ëmbëlsira
-1 pako maskarpone
-70 gr çokollatë ( nëse doni dhe 2 lugë sheqer pluhur)
-400 gr akullore vanilje


Në fillim gjeni një formë që dëshironi por e preferueshme është forma metalike e bukës (formë drejtëkëndëshe).
Vendosni qese kuzhine duke lënë hapësirë anash sepse do ta mbështjellni në fund.
Bëni kremin duke rrahur mirë panën në fillim, shtoni sheqerin dhe maskarponen, këtu mund të hiqni pak dhe ta lini në frigorifer, pjesës tjetër i shtojmë çokollatën e shkrirë dhe e përziejmë mirë.
Kalojmë biskotat në kafe dhe vendosim një shtresë, shtojmë kremin dhe më pas përsëri biskota.
Sipër biskotave të dyta do të shtojmë akulloren, të cilën e kemi përzier me një lugë të bëhet kremoze.
Mbyllim anët e qeses dhe kështu i japim formë ëmbëlsirës, e vendosim në frigorifer tek ngrirja për rreth 4-5 orë.
E nxjerrim nga frigoriferi, i shtojmë kremin që ruajtëm më parë dhe copa çokollate!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë