Ka ndodhur

Foto / Breshëri plumbash drejt biznesit në Shijak, plagoset rastësisht 36-vjeçari. Në kërkim autori

Gazeta Si - Një breshëri plumbash është lshuar mesditën e kësaj të premteje në drejtim të një pike tregtimi aksesorësh për automjetet në Xhafzotaj të Shijakut.

Shkak dyshohet se është bërë një konflikt për motive të dobëta mes Arbër H. dhe një prej vëllezërve që menaxhojnë njësinë tregtare.

Mësohet se Arbër H., sipas policisë ka qëlluar me një breshëri plumbash kundrejt njësisë tregtare, ku njëri prej plumbave ka goditur Enidor D., 36 vjeç, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes rastësisht.

I lënduari ka marrë një plagë në këmbë, duke u dërguar drejt spitalit të Durrësit për mjekim dhe tani ndodhet nën kujdesin e mjekëve pa rrezik për jetën.

Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, 30 vjeç dhe po punon për arrestimin e tij. Ende nuk dihet saktësisht motivi i konfliktit, por paraprakisht dyshohet për një grindje e ndodhur për shkak të aktivitetit tregtar që zhvillonin vëllezërit Domi.

Policia ka mësuar se një natë më parë, Arbër H. ka pasur një sherr fizik në Durrës me një nga dy vëllezërit Domi, pronarë të subjektit tregtar dhe para se të qëllonte ai kishte shkuar për t’u sqaruar.

Policia thotë se mes palëve ka pasur shkëmbim zjarri. Mes të shtënave me armë, Enidor D. mbeti i plagosur, pasi një plumb e kapi në këmbë.

Plumbat e shkrepur në drejtim të biznesit, kanë kapur edhe xhamin e një autobusi që ndodhej i parkuar, fatmirësisht pa njerëz brenda.

Policia dhe grupi i ekspertëve të kriminalistë kanë ‘zbarkuar’ në vendngjarje për të grumbulluar provat e nevojshme për hetimin.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë