Gazeta Si – Një 40-vjeçar, Aleksandër Curri, u plagos me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër nga një 59-vjeçar për shkak të një borxhi të pakthyer.
Në një njoftim të policisë për mediat, autoritetet thanë se shkak për ngjarjen është bërë një borxh që i plagosuri i kishte autorit të dyshuar, i identifikuar si Dedë Bici, banues në Lezhë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, në zonën e njohur si “Dollari” dhe Aleksandër Curri ndodhet ende në spital në kujdesin e mjekëve.
Policia thotë se janë ngritur pika të shumta kontrolli, ndërsa Forcat e Sigurisë Kombëtare po vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar në brendësi të lagjeve të qytetit.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autori qëlloi në drejtim të Currit dhe u largua menjëherë. Ai e ka qëlluar viktimën me pistoletë dhe ka ikur në drejtim të kryqëzimit të ish-degës së Brendshme
Ka qenë një lypëse ajo që i ka dhënë ndihmën e parë 40-vjeçarit Aleksandër Curri. Sipas pamjeve, duket gruaja, e cila gjendej në atë zonë duke lypur dhe i shkon në ndihmë të plagosurit, i cili gjendet i shtrirë. Në video duken qytetarë të tjerë që rrinë e shikojnë pak metra larg.

Gruaja përpiqet të kujdeset për të plagosurin duke e mbajtur për dore, kujdesur për çelësat e tij, duke folur dhe me policin rrugor që vjen më pas dhe njofton më pas policinë e Shkodrës.
“Unë isha duke lyp dhe i dhashë ndihmën, unë nuk e njoh, e kanë parë të gjithë ngjarjen, ndenji 10 minuta, as 10 minuta, i thashë jepini ndihmë, erdhi polici rrugor dhe i dha ndihmën, në stomak e kishte problemin, këtu e kisha plagën, gjak shumë, në këmbë, unë i dhash ndihmën e parë, kurrkush nuk i dha, e pashë që ishte…dhe e ndihmova”, tha gruaja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.