Të rinjtë janë përfituesit kryesorë të procesit integrues të Shqipërisë, janë shprehur ministrat Ditmir Bushati dhe Blendi Klosi gjatë një bashkëbisedimi me studentë.
Duke u ndalur tek procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, Ministri Bushati theksoi se vendit i duhet të hedhë hapa përpara në këtë proces, të përmbushë standardet dhe të punojë për transformimin e saj të brendshëm.
Hapja e negociatave, vijoi më tej ministri, shton mundësitë për të rinjtë për të studiuar dhe për të qenë pjesë e programeve të ndryshme në universitete evropiane, apo për punonjësit shkencor e kërkimor për të bërë projekte të përbashkëta në këto institucione. Brezi i ri, tha ministri Bushati, vendoset përballë një konkurrence të madhe qoftë me vendet e rajonit, por dhe të BE. Ai tha më tej se përfitimet nga procesi integrues janë në të gjitha fushat si arsim, bujqësi, turizëm, mjedis etj.
Ndërsa ministri Klosi u ndal tek nevoja që të kemi sa më shumë shtim të vizitorëve evropianë në mënyrë që shtetasit e këtyre vendeve të njihen më nga afër me transformimin dhe bukuritë e vendit tonë.
“Për ne turizmi pa dyshim përbën një nga sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare. Turizmi është një ekonomi, turizmi është një mundësi për më shumë punësim, turizmi për ne është një mundësi më shumë, për më shumë mirëqenie”, nënvizoi ai.
Ministrat iu përgjigjën edhe një sërë pyetjesh të studentëve të cilat kishin të bënin jo vetëm me rininë, por edhe me aktualitetin dhe zhvillimet në rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.