Kosova

Të premten, 50% më pak forca policore në veri të Kosovës

Gazeta Si - Kosova vijon të zbatojë paktin e arritur me Brukselin për shtensionimin e situatës në veri. Nga nesër do të nisë zvogëlimi i pranisë së Policisë së Kosovës edhe për 25 për qind në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës. Kjo do të çojë në 50 për qind më pak të Policisë në dhe rreth objekteve të këtyre komunave.

Kjo është njoftuar publikisht pas takimit koordinues që ka pasur Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR.
"Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri", thuhet në deklaratën për median.

Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës. KOHA ka konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani se ky është 25 përqindëshi i dyti i pranisë së Policisë që do të tërhiqet nga dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës. Më 13 korrik janë larguar 25 për qind e Policisë së Kosovës nga dhe rreth objekteve komunale në veri.

Këto akte po merren në zbatim të marrëveshjes së arritur në Bratislavë mes zv.kryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të posaçëm të BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajçak më 10 korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë