Ana e errët

Të parët në botë për azil, Shqipëria rrezikon të “zbrazet” pas 70 vitesh

Shqipëria ua ka kaluar edhe vendeve në gjendje lufte për aplikimet për azil në Bashkimin  Europian. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vendi ynë ishte i pari në botë për kërkesat për azil në vendet e BE në raport me popullsinë.

Sipas përllogaritjeve, 2000 shqiptarë në muaj kanë bërë kërkesa për azil gjatë vitit 2019. Nëse shqiptarët do të ruajnë të njëjtin ritëm të braktisjes së vendit, 70 vjet do të jenë të mjaftueshme që Shqipëria të “zbrazet”.

Në 6 muajt e parë të vitit janë larguar mesatarisht për çdo 100 mijë banorë 55 shqiptarë. Ky është numri më i lartë krahasuar me vendet që renditen të parët për kërkesat për azil, por sigurisht të parët edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Thuajse me dy herë më pak aplikime se Shqipëria renditet Siria, ku sipas përllogaritjeve, duke u bazuar në numrin e popullsisë, kanë aplikuar për azil mesatarisht 29 sirianë për çdo 100 mijë banorë.

Megjithëse pritshmëritë ishin që numri i azilkërkuesve të binte për shkak të refuzimeve, të dhënat nga Eurostat tregojnë se numri i shqiptarëve që duan të lënë vendin është rritur në vitin 2019. Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve ka qenë kohët e fundit Franca, ku janë paraqitur gati gjysma e totalit të kërkesave për azil.  Në gjashtë muajt e parë të 2019, 4,335 shqiptarë kanë aplikuar për azil në shtetin francez.

Për më tepër, nga Shqipëria ka patur 10,680 kërkesa në të gjithë BE-në. Kjo do të thotë që, që nga fillimi i vit, mesatarisht 1780 shqiptarë janë larguar nga vendi çdo muaj.

Pas Francës, shteti i dytë me numrin më të madh të azilkërkuesve shqiptarë është Mbretëria e Bashkuar, ku 1870 janë regjistruar për aplikime në gjashtë muajt e parë të 2019, pasuar nga Greqia me 1480 kërkesa për azil dhe Italia me 830. Gjermania prej kohësh është shndërruar në një destinacion më pak të preferueshëm, pasi shanset për të marrë një përgjigje pozitive janë të shumë herë më të ulëta. Për gjashtë muajt e parë të vitit 2019, të dhënat nga Eurostat tregojnë se vetëm 850 shqiptarë kanë aplikuar për azil në Gjermani, pasi shqiptarët preferojnë të emigrojnë drejt ekonomisë më të madhe të BE-së nëpërmjet kontratave të punës.

Nga ana tjetër, shqiptarët kanë paraqitur 1.200 aplikime shtesë në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Irlanda mori 465 kërkesa për azil gjatë këtyre muajve, 215 kërkesa u paraqitën në Suedi dhe Belgjikë, 110 në Hollandë, 65 në Spanjë, 60 në Zvicër, 50 në Norvegji, si dhe 30 kërkesa në Luksemburg dhe Danimarkë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë