Ana e errët

Të miturit në aksion/ Vjedhje, drogë dhe gjurmë në vendngjarje

P. C është një nga dhjetëra të rinjtë në Tiranë që duke përfituar nga mosha e mitur as që e ka provuar shijen e prangave për ngjarjet ku përfshihet. Emri i referohet pafundësisht në prokurori. Ai është 13 vjeç dhe derisa të mbushë moshën për përgjegjësi penale, do të vazhdojë që t’i bëjë cirk policisë. Formula është e njohur tregon për gazetën “Si” një ekspert policie. Përherë fëmijë si ai përfshihen në ngjarje të tilla dhe duke përfituar nga mosha, ata vazhdimisht kryejnë vjedhje të tilla të vogla dhe të parëndësishme. Ata vijnë nga familje me probleme ekonomike dhe jo vetëm. E nisin aktivitetin në fushën e vjedhjeve në moshë fare të vogël, ndoshta edhe nëntë vjeç siç kemi parë gjatë këtyre kohëve. “Por, problemi qëndron te pamundësia për t’ju dhënë këtyre fëmijëve një mundësi që mos të hyjnë në botën e krimit. Nuk ka asnjë instrument rehabilitimi”, thotë eksperti për gazetën “Si”.

P. C dhe shoku i tij, i moshës 14 vjeç, u kapën së fundmi në rrugën “Arkitekt  Kasemi”, duke vjedhur një biçikletë që i   përkiste shtetasit K. Luti. Njëkohësisht, në një lagje tjetër të Tiranës, një patrullë tjetër policie po këqyrte një vendngjarje tjetër pas denoncimit të L. Demrakut se dy fëmijë i kishin vjedhur dyqanin. “Policia zbuloi se autorë ishin K. S dhe E. L, me banim në Kamëz, të cilët morën fruta të thata dhe cigare”, tregon për gazetën “Si” njëri nga oficerët që pasi këqyri vendngjarjen mendon që të miturit janë bërë aq profesionistë sa kanë “sofistikuar” teknikat e vjedhjes. Nga këqyrjet e kamerave rezulton se “banda” të tilla fëmijësh punojnë përherë në grupe të vogla, ku gjithmonë njëri prej tyre është pak më i madh në moshë krahasuar me të tjerët. Ata përpiqen të shfokusojnë vëmendjen e shitësve apo pronarëve dhe vetëm njëri prej tyre e kryen aksionin, tregon një agjent krimesh që parapëlqen të rrëfehet për gazetën “Si” në anonimitet.

Gazeta “Si” vëzhgoi çfarë ndodh gjatë një dite në Tiranë. Pikërisht, i mituri K. S që u kap duke vjedhur fruta të thata bashkë me shokun e tij, pak orë më vonë një tjetër shërbim policor e raporton emrin e tij në radio. Kësaj radhe në rrugën “Tefta Tashko” fëmija u kap teksa po përpiqej të hynte nga dritarja në një kioskë, ku kishte pasur për qëllim të vidhte cigare e pije. Por, ndërsa disa kapen në kushtet e flagrancës, në të njëjtën ditë një grua që ka dyqan në rrugën “Rrapo Hekali” e kërkoi policinë për të mbajtur procesverbalin e vjedhjes të kioskës ku ajo punonte dhe nga ku i kishin marrë 35 mijë lekë, disa paketa cigaresh dhe disa abone urbani. I. Xhelilaj kishte qenë e pavëmendshme për të kuptuar hajdutët apo për t’i identifikuar ata, ndërkohë që efektivëve u mbeti detyra më e zakonshme që ata ndjekin në raste të tilla, këqyrja e gjurmëve dhe për rrjedhim përmes tyre zbulimi i të dyshuarve. “Sërish edhe për këtë ngjarje nga këqyrja e gjurmëve rezultoi se hajdut ishte Kevini së bashku me katër shokët e tij në të njëjtën moshë, të cilët nga analizimi i ngjarjeve të kësaj dite konstatohen si hajdutë edhe në biznese të tjera të vogla”, tregoi një nga zyrtarët e Drejtorisë së Tiranës, i cili i njeh fare mirë fenomene të tilla, ku fëmijët e nisin “karrierën” kriminale në episode të parëndësishme për të përfunduar më vonë kur të rriten, si persona të rrezikshëm.

Një burim tjetër shpjegon se në të njëjtën ditë në një zonë tjetër dhe konkretisht në rrugën “Vëllezërit Manastirlli”, edhe F. Cara shkoi në polici dhe kallëzoi vjedhjen e lokalit nga ku i ishin zhvatur 5 mijë lekë, siç edhe kallëzuan gjatë ditës edhe F. Dumi për vjedhjen e makinës të parkuar para lokalit dhe  F. Peza së cilës i kishin vjedhur dy targat e makinës Ford AA694XI, ngjarje të pazbuluara ende ashtu sikurse vjedhja e një audi humbjen e të cilit e raportoi O. Nela dhe vjedhja e një Volkswagen Turan të denoncuar nga pronari A. Durma.

Por, buletini ditor i ngjarjeve në kryeqytet tregon se të tjerë që kanë mbushur moshën prej kohësh përfundojnë nën arrest. Në të njëjtën ditë një 20-vjeçar Martilios K. përfundoi në komisariat në gjendje arresti teksa po tentonte të vidhte një biçikletë që ishte parkuar te Kodrat e Liqenit. Sikurse Qerim Kasa e Ardian Hoxha që kishin vjedhur një sërë banesash dhe së fundmi shtëpinë e A.Halilit.

Por, problemi më i madh vazhdon të jetë përdorimi i hashashit nga këto grupmosha për të cilat besohet se është motivi kryesor veç shkaqeve ekonomike. Pavarësisht përpjekjeve policore, siç  janë postblloqet e shumta dhe patrullimet në këmbë që po zhvillojnë grupet e policisë të çdo komisariati, të miturit ia kanë dalë mbanë ta sfidojnë rendin, herë me drogë e herë me sulme vjedhjesh të tilla, sikurse ngjarjet më lart të ndodhura gjatë një dite në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë