Gazeta Si – Alda Klosi dhe Rozeta Dobi janë ballafaquar këtë të mërkurë për herë të parë mbi qëndrimet e tyre rreth hetimeve që po kryhen për qindra e mijëra euro të gjetura në banesën e ish-zyrtares.
Pas rrëfimit të sanitares Dobi, dhe qëndrimeve mohuese të ish-shefes së kabinetit qeveritar, Prokuroria vendosi ballafaqimin e tyre.
Por sanitarja Rozeta Dobi i qëndroi të njëjtit variant gjatë dëshmisë këtë të mërkurë. Kjo dëshmi që e çoi në pranga, konsiderohet një gënjeshtër nga ish-zyrtarja.
Ajo ka mohuar akuzat në përballje dhe i ka thënë hetuesve se në banesë ka pasur vetëm 120 mijë euro, të marra hua nga vëllai i saj.
Alda Klosi alias “Çiko”, ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetaj, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë e Tiranës, me akuzën e pastrimit të parave.
LEXO EDHE:
– Përgjimi / Biseda me kode në qeli mes nënë e bir për supervjedhjen: Do rri unë këtu! Djali: Ç’ke thënë për mua?
– ‘E urreja Alda Klosin…’ Dosja e pastrueses që vodhi qindra mijëra euro. Dëshmia e djalit të saj dhe alibia e zyrtares për xhaxhain e sëmurë
Pastruesja personale e Alda Klosit, Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi, vodhën ne dhjetor 2022 një shumë të konsiderueshme nga banesa e saj që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori, që dyshohen se i përkasin pikërisht Klosit.
Megjithatë pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri këmbëngulin se i morën paratë për t’i ruajtur, e veç tyre edhe 400 mijë euro të fshehura në aspirator.
Kjo shumë e ka bindur prokurorinë se duhet të hetojë nëse ish-zyrtarja e lartë Klosi po pastronte apo jo para të fituara nga korrupsioni.
Mbi Alda Klosin rëndojnë tre akuza, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe deklarim i rremë në hetuesi.
Policia, pasi arrestoi Rozeta Dobin dhe djalin e saj, ky i fundit, pasi kishte ndihmuar nënën e tij të lëvizje kasafortën me shumë të mëdha parash, i vendosi atyre një përgjues.
Duke komunikuar me njëri-tjetrën në ambientet e paraburgimit, ata u shprehën së policia nuk i kishte zbuluar shumën tjetër te tubi i ajrimit të banesës së tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.