Shendet

Të kthehesh nga fillimi/ Si Japonia u bë një histori surprize suksesi antiCovid

Pak ditë pas mbarimit të Olimpiadës në Tokio, Japonia dukej se po shkonte drejt katastrofës lidhur me numrin e lartë të rasteve të infektimeve me COVID19.

Më 13 gusht, qyteti pritës raportoi një rekord prej 5,773 rastesh të reja të Covid-19, nxitur nga varianti Delta.

Në shkallë vendi, totali tejkaloi 25,000 raste.

Infeksionet në rritje shtuan pakënaqësinë në publik që kishte kundërshtuar paraprakisht mbajtjen e Olimpiadës.

Spitalet ishin plot dhe mungesa e shtretërve detyroi mijëra që ishin testuar pozitivisht të shërohen (në disa raste edhe të vdesin) në shtëpi.

Kryeministri i atëhershëm, Yoshihide Suga, i cili kishte injoruar këshilltarin e tij kryesor për shëndetin lidhur me shtyrjen e Lojërave, u detyrua të japë dorëheqjen.

Gjendja e jashtëzakonshme ndaj pandemisë në kryeqytet dhe rajone të tjera që është në fuqi për gati gjashtë muaj, duket se do të zgjatet sërish.

Megjithatë, diçka e jashtëzakonshme ka ndodhur në Japoni në dy muajt që kur Perandori Naruhito shpalli zyrtarisht mbylljen e Lojërave Olimpike.

Këtë javë, pothuajse dy javë pasi masat urgjente u hoqën përfundimisht, rastet e reja vijojnë të bien në Tokio dhe në të gjithë vendin.

Ndërsa pjesë të tjera të Evropës, përfshirë Britaninë, po luftojnë për të kontrolluar rastet - pavarësisht një rënie modeste globale që nga gushti -infeksionet në Japoni kanë rënë në nivelet e tyre më të ulëta në më shumë se një vit, duke shkaktuar optimizëm se më e keqja mund të ketë përfunduar.

Të hënën, Tokio raportoi 49 raste, shifra më e ulët ditore që nga fundi i qershorit të vitit të kaluar, ndërsa numri në rang vendi ishte 369.

Ekspertët thonë se asnjë faktor i vetëm nuk mund të shpjegojë kthesën e jashtëzakonshme në Japoni.

Por ekziston një konsensus i gjerë se pas një fillimi zhgënjyes, vaksinimi është shndërruar në një fushatë mbresëlënëse të shëndetit publik që ka hasur në pak rezistencë pavarësisht marrëdhënies së ndërlikuar historike të Japonisë me vaksinimet.

Deri më sot, Japonia ka administruar vaksina antiCovid për të mbrojtur pothuajse 70% të popullsisë së saj që rendit 126 milion banorë.

Qeveria ka thënë se vaksinat do të jenë të disponueshme për të gjithë ata që i duan deri në nëntor, ndërsa këtë javë kryeministri i ri, Fumio Kishida, tha se do të fillojë doza e tretë nga dhjetori, për stafin   mjekësor dhe të moshuarit.

Një faktor tjetër i cituar nga ekspertët është mbajtja me detyrim i maskave - një zakon ky i rrënjosur tek japonezët gjatë stinëve të gripit para pandemisë. Ndërsa vendet e tjera po heqin kërkesat për mbajtjen e maskës në ambiente të brendshme, shumica e japonezëve ende i druhen mendimit për të dalë pa maskë.

Gjatë Olimpiadës u përfol shumë edhe për grumbullimet dhe flukset e njerëzve.

Por Kenji Shibuya, ish -drejtori i Institutit për Shëndetin e Popullsisë në King's College London, tha se ai dyshonte se "fluksi i njerëzve kishte nxitur infeksionet në gusht”.

"Ajo (virusi) drejtohet kryesisht nga sezoni, i ndjekur nga vaksinimi dhe ndoshta disa karakteristika virale që ne nuk i dimë," tha ai.

Tani për tani, në Japoni po qarkullon optimizmi se "normaliteti" po kthehet.

Baret dhe restorantet që luftuan për të qëndruar në këmbë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme po shërbejnë përsëri alkool, megjithëse do të duhet të mbyllen herët deri në fund të muajit.

Stacionet hekurudhore janë përsëri të mbushura me udhëtarë tani që shumë kompani nuk po i lejojnë më punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia.

Udhëtimi me transport nuk shihet më si një rrezik domethënës.

Publiku pret që kryeministri i ri Kishida të ketë përparësi shëndetin publik, duke përfshirë miratimin e hershëm për ilaçet antivirale dhe rritjen e aftësisë së shërbimit shëndetësor për t'iu përgjigjur një shpërthimi të mundshëm në të ardhmen.

Ekspertët thonë se do të ishte marrëzi të supozohet se rreziku ka kaluar, dhe kanë paralajmëruar se numrat mund të fillojnë të rriten përsëri kur afrohet moti më i ftohtë dhe njerëzit përzihen në bare dhe restorante të ajrosura dobët gjatë sezonit të festave

"Përfundimi i urgjencës nuk do të thotë që ne jemi 100% të lirë," paralajmëroi Shigeru Omi, këshilltari kryesor mjekësor i qeverisë.

"Qeveria duhet t'i dërgojë një mesazh të qartë njerëzve se ne mund të pushojmë vetëm gradualisht"

Marrë nga “The Guardian”/ Përshtati në Shqip; Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë