Sociale

Të infektuar në zonat turistike por Ministria nuk jep shifra

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën e plazhit të vjetër në Durrës. Gjatë vizitës, Drejtoresha e qendrës theksoi se tek zona "Shkëmbi i Kavajës" ka pasur edhe raste të konfirmuara me Covid-19 që janë ndjekur nga shërbimi epidemiologjik më pas (pa dhënë një shifër konkrete.)
Ndërsa Ministrja Manastirliu tha se që nga  15 qershori deri më sot janë më shumë se 14 mijë vizita dhe shërbime që janë ofruar për pushuesit vendas dhe të huaj. Janë më shumë se 10 mijë pushuesit vendas që kanë marrë shërbime në këto qendra shëndetësore verore, ndërkohë që më shumë se 4 mijë janë pushues të huaj, turistë, të cilët kanë ardhur dhe kanë marrë shërbime falas në këto qendra”, bëri me dije Manastirliu.
Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore verore në Durrës, Ministrja shtoi se fokusi është tek vijimi i programit të vaksinimit, me qëllim për të rritur mbulesën vaksinale.
“Prej disa ditësh dhe përgjatë gjithë javës ne kemi mundësuar që të realizohet vaksinimi në +18 vjeç, në çdo qendër shëndetësore dhe në çdo pikë të vaksinimit të përqendruar dhe gjithashtu nëpërmjet njësive lëvizëse të vaksinimit, që tashmë janë në të gjithë vendin”, tha Manastirliu, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë, për t’u mbrojtur nga Covid19.
Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24/7 për emergjencat në 29 pika turistike nga veriu në jug. Në çdo qendër shëndetësore verore ofrohet falas edhe testi i shpejtë i Covid19, me synim identifikimin e hershëm dhe izolimin e rasteve të dyshuara me virusin e rrezikshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë