Sociale

Të hënën nisin testet e shpejta, rezultat vetëm nëse jemi brenda 5 ditëve të para të sëmundjes

Testet e shpejta të antigenit nisin të hënën nga kryeqyteti i Tiranës. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu  në një komunikim për mediat. Ministrja shpjegoi se deri më tani janë siguruar 100 mijë teste dhe do të shpërndahen në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu në datën 20 dhjetor do të dërgohen në spitalet rajonale, për urgjencat ku mund të dyshohet se do të jenë për Covid-19.

 “Për sa i përket përfshirjes së shpejtë të antigenit, kemi siguruar në kontratën e parë 100 mijë teste të shpejta të antigenit që janë tashmë të disponueshme në vendin tonë. Testimi i shpejtë i antigenit do të nisë nga dita e hënë fillimisht në Tiranë.
Në fazën e parë, duke filluar nga dita e hënë fillon testi i shpejtë i antigenit që do jetë i disponueshëm në të gjithë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Janë struktura që kryejnë testin e tamponit. Nga 20 dhjetori do të jetë dhe në spitalet rajonale," shpjegoi ministrja.

Ndërsa, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino,  shpjegoi pjesën teknike të testit të antigenit. Ajo theksoi se testi i antigenit është baraz me testin PCR për sa i përket efikasitetit. Bino shpjegoi se testi i antigenit duhet të kryhet vetëm pesë ditët e para të shfaqjes së sëmundjes dhe këto teste janë diagnostikuese.

“Nëse jemi brenda 5 ditëve të para të sëmundjes, mund të kryhet ky test. Nëse kemi një person që ka më shumë se 5 ditë që është diagnostikuar, atëherë duhet test PCR. Po kryhen trajtime për sigurinë e testeve. Është test i aprovuar nga ndërkombëtarët”, u shpreh Bino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë