Politike

“Të hapësh sytë, të duash dhe të ecësh përpara…”, Rama poston foton e rrallë me të ëmën

Kur vendosi të hyjë për herë të parë në garën për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, u ul përballë gurit të varrit të të atit. Ai i dha një premtim që solemnisht mbetet mes tyre.

Të paktën kështu ka shkruar në librin e tij “Kurbani” (9 vjet më parë) kushtuar nënës së tij, që u nda nga jeta të shtunën, Aneta Rama.

Në një kohë krejt tjetër për të dhe vetë kohën, Rama ka shumëçka për të ndarë për të ëmën, me ndjekësit e tij në Facebook dhe jo vetëm. Ndoshta, edhe me nje premtim ndaj saj.  Kësaj here ndryshe, jo përmes një libri, por poezie.  

“Mund të derdhësh lot pse iku/ Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi/ Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet Ose mund t'i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë/ Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më/ Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të/ Mund t'ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen/ Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të/

Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj/ Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të/ Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota/

Ose mund të bësh atë që nëna do të donte: Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara...”, shkruan Rama në Facebook duke përcjellë me pas një falenderim për të gjithë ata, që e ngushëlluan në forma nga më të ndryshmet në një kohë të pazakontë si për të, ashtu edhe për vendin…Dhe një foto në retrospektivë, ai, i vogël krejt fëmijë, në krah të nënës së tij, Aneta.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë