Futboll

Të gjithë të çmendur pas tij, De Ligt ‘zgjedh’ ekipin e vjehrrit

Mbrojtësi holandez, Mathijs De Ligt, është një prej “gurëve të çmuar” të merkatos së verës. E kërkojnë të gjithë, janë të çmendur pas tij klubet më me emër të Europës, si Juventusi, Barcelona dhe PSG-ja, por vetëm njëri do të ketë fatin ta marrë kapitenin e Ajaksit. Kush? Shanset më të mëdha i ka ekipi i preferuar i vjehrrit të mbrojtësit, Barcelona.

De Ligt është vënë në qendër të merkatos së verës, pas një sezonin të jashtëzakonshëm me Ajaksin, të kurorëzuar me titullin kampion në Holandë, Kupën e Holandës dhe arritjen deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Kapiteni 19-vjeçar i Ajaksit ka lënë gjurmë edhe me golat e shënuar, ku veçohet ai në fitoren 1-2 ndaj Juventusit në Torino. Atë mbrëmje Kristiano Ronaldo u dashurua me talentin e tij, por mundësitë që holandezi të vishet bardhezi janë të pakta për “faj” të vjehrrit të futbollistit.

De Ligt në dyluftim me Roanldon gjatë finales së Ligës së Kombeve, Portugali-Holandë

Më mirë Barcelona se Juventusi dhe PSG-ja. Keje Molenar nuk ka dyshime: babai i të fejuarës së De Ligt është i sigurt se gjëja më e mirë për mbrojtësin është të veshë fanellën e Barcelonës. Vjehrri i futbollistit e ka dhënë këtë deklaratë për “nhsport.nl”: “Mathijs është me pushime për momentin, diku larg. Do të preferoja që ai të shkonte te Barcelona, sepse është një klub i mrekullueshëm dhe do të kishte mundësi të luante me Mesin. Nuk jam unë që duhet t’i jap këshilla, është detyrë e agjentit të tij Mino Raiola, prindërve të tij dhe Berri Hulsof, ish-lojtarit të Ajaksit”.

Ditët e fundit, De Ligt është shprehur si i duhet pak kohë, duke shprehur dyshime për ekipin e tij të ri. “Nuk e di, nëse është momenti i duhur për të lënë Ajaksin, dua të jem protagonist”, - ka thënë ai. Një deklaratë që tregon se mbrojtësi ka dilema. Te Barcelona e vlerësojnë shumë dhe e duan në ekip, ndërsa PSG-ja po tenton ta joshë me një ofertë faranike. Kristiano Ronaldo e ka ftuar publikisht te Juventusi pas finales së Ligës së Kombeve, ndërsa tani ka dalë në skenë edhe preferenca e vjehrrit, i cili dëshiron ta shohë te Barcelona. Një tjetër shtysë për të zgjedhur katalansit është se këta të fundit kanë blerë më parë edhe yllin tjetër të Ajaksit, Frenki de Jong.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë