Kombetarja

Të gjithë kundër Panuçit, trajneri kapet me mbrojtjen

Pas dy ndeshjeve të para në Ligën e Kombeve, Shqipëria ka 3 pikë dhe është e dyta në grupin me tre skuadra ku bën pjesë. Një fitore në Elbasan me Izraelin dhe një humbje me në transfertë me Skocinë janë brenda parashikimeve, por gjithmonë kërkohet më tepër dhe tani që dy ndeshjet janë luajtur mund të analizohet me qetësi situata. A mund të bënte më shumë Shqipëria në ndeshjen e Skocisë? Sigurisht që po. Mundësitë për të shënuar u krijuan dhe nëse Balaj do ta çonte topin në rrjetë, do të ishte një tjetër histori.

Edhe fati i keq në ndeshjen e “Hamdem Park” ka pjesën e vet, pasi Shqipëria u ndëshkua nga një autogol i Gjimshtit, që për më tepër erdhi nga një pozicion jashtë loje. Por duhet pranuar se kuqezinjtë bënë jo pak gabime, më shumë në pjesën e dytë, kur ndryshoi edhe moduli i lojës nga trajneri italian, i cili është kritikuar shumë për këtë pjesë dhe për disa vendime të tjera për titullarët dhe zëvendësimet. Lënia në stol e një lojtari si Basha, aktivizimi i Prengës dhe skema e lojës në pjesën e dytë konsiderohen si gabime të trajnerit italian në humbjen me Skocinë. Edhe kapiteni Hysaj ka pranuar se ndryshimi i skemës në pjesën e dytë pati ndikim.

Trajneri Panuçi takon kolegun e tij skocez pas ndeshjes

Vetë trajneri Kristian Panuçi theksoi pas ndeshjes se Shqipëria u ndëshkua nga gabimet në mbrojtje, ku tregohet shumë e butë me kundërshtarin: “E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe krijuam raste. I dhuruam të dy golat e Skocisë, që shënoi në ato dy raste, ndërsa ne nuk shënuam në rastet tona. Basha? Edhe lojtarët e tjerë kanë eksperiencë. Skocia luajti me ritëm më të lartë dhe ne ishim në lojë për një kohë të gjatë. Por gabuam në mbrojtje, ku kemi limitet tona, jemi shumë të butë në lojën mbrojtëse. Vuajtëm në pjesën e parë dhe mendova të luanim me tre mbrojtës në të dytën. Nuk është se shkoi keq, por nuk bëmë atë që bëjnë të tjerët, që të ndalin edhe me shkelma në mbrojtje. I dhamë hapësirë kundërshtarit dhe gabuam në 20 metrat e fundit. Nuk dua të veçoj lojtarë. Kishim raste, me Memushajn në pjesën e parë dhe Balajn më pas. Nuk jam euforik dhe i di pikat tona të dobëta, që duhet t’i korrigjojmë, sidomos mbrojtjen, ku kemi probleme. Duhet një mbrojtje më e ashpër”, - tha Panuçi.

Kapiteni Hysaj gjykon se ndryshimi i modulit të lojës ndikoi në pjesën e dytë, por sipas tij edhe fakti që skuadra nuk shfrytëzoi rastet për gol: “Skocia është skuadër e fortë dhe luajtëm si të barabartë deri në momentin e golit. Loja ndryshoi në pjesën e dytë edhe nga ndryshimi i modulit. Pastaj dihet: po nuk shënove, do ta pësosh. E kishim të vështirë të dilnim nga zona. Në pjesën e dytë Skocia na vuri poshtë. Mendoj se me 4 mbrojtës luajmë mirë, ndërsa skema 3-5-2 duhet të provohet. Skemat i bën trajneri dhe në pjesën e dytë ai zgjodhi të luanim me 3-5-1-1. Pësuam gol në një moment delikat dhe provuam të  sulmonim. Patëm raste, por gabuam në finalizim, ashtu si dhe në mbrojtje. Skocia është shumë e fortë fizikisht dhe luajti me topa të gjatë”.

Kapiteni Elseid Hysaj gjatë ndeshjes me Skocinë

Ledian Memushaj, titullar në dy ndeshjet e fundit, nuk ia ka vënë fajin skemës, por paraqitjes së lojtarëve në fushë: “Luajtëm ndryshe nga ndeshja me Izraelin, por nuk mendoj se është çështje skeme, me 3 apo 4 mbrojtës dhe 1 apo 2 sulmues. Të gjithë nuk dhamë maksimumin, por them se meritonim më shumë. E nisëm ndeshjen keq dhe Skocia na vuri në presion. Pas golit të parë nuk u dorëzuam dhe reaguam, kurse goli i dytë na preu gjunjët. Unë luaj në disa pozicione, nuk është aspak problem. E përsëris, problemi ishte te loja e ekipit, që duhet të përmirësojë shumë gjëra”, - tha futbollisti vlonjat.

Kritikë për zgjedhjet e trajnerit Panuçi janë shprehur shumë specialistë të njohur në vend. Arjan Peço, trajneri i 21-vjeçarëve të Bazelit dhe ish-futbollist i Kombëtares, theksoi se zëvendësimet ishin të dështuara: “Ndeshja në Skoci filloi siç pritej, me presing agresiv të ekipit vendës. Kundërshtari fitoi shumë goditje standarde dhe me anë të tyre rrezikoi. Ndërrimet e trajnerit Panuçi dështuan dhe gjithçka u bë më e vështirë. Ai e ndryshoi skemën në 3-5-2, por Shqipëria pësoi gol menjëherë në pjesën e dytë. Situata u komplikua. Lilaj më pëlqeu, por kur kishte topin ai nuk kishte asnjë pikë referimi ku ta çonte”.

Arjan Peço, ish-futbollist i Kombëtares, specialist futbolli

Kurse Sulejman Starova, një trajner i njohur në vend, tha se Panuçi nuk e lexoi si duhet lojën dhe se duhet të qartësojë idetë: “Objektivi i Shqipërisë ishte të mbrohej me shumë forca dhe të godiste në kundërsulm. Vuajtëm me rreshtimin 4-3-3 dhe mendoj se Panuçi nuk diti ta lexonte lojën. Robertson vinte pa pushim në krah. Gavazaj ishte i pamundur, ndërsa Ndoj më pëlqeu. Memushaj pati vështirësi në sulm dhe goditjen e parë e bëmë pas 37 minutash lojë. Pas golit u bëmë më trima, ndërsa Strakosha që na dha fitoren me Izraelin, ka përgjegjësi te goli i dytë. Më pas skuadra u dorëzua komplet. Panuçi nuk është i qartë për skemat dhe të ardhmen. Shqipëria pa Mavrajn, Agollin, Kaçen dhe Grezdën ka probleme. Kjo humbje na uli me këmbë në tokë”.

Kritik ka qenë edhe ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, si me trajnerin Panuçi, ashtu edhe me lojtarët: “Ishim me vonesë në dyluftime dhe shkaktuam shumë faulle. Nuk arrijmë të kontrollojmë topin, ndërkohë që duhet të shfrytëzojmë ato pak raste që krijojmë. Balaj pati dy mundësi shumë të mira, por nuk shënoi. Kemi mungesë orientimi dhe mendoj se mbrojtja është shumë e rëndë. Futja e Prengës ishte e gabuar, kur po shihej se sulmi skocez kishte shpejtësi”, - u shpreh Hafizi.

Nga ndeshja Skoci-Shqipëri, 2-0

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë