Kombetarja

Të gjithë duan një vend në ‘Air Albania’ ndaj Çekisë, interes i jashtëzakonshëm për bileta

Gazeta Si – Të gjithë duan një vend në ‘Air Albania’ më 12 tetor, kur Shqipëria pret Çekinë në ndeshjen e radhës në grup. Një ndeshje që mund të ‘vulosë’ kualifikimin në Euro 2024, nëse kuqezinjtë fitojnë. Interesimi për këtë sfidë është shumë i madh që tani.

Duket qartë nga fluksi i jashtëzakonshëm sapo biletat dolën në shitje online, që ka sjellë edhe rënien e serverit të faqes “ebileta.al”. Tifozët kuqezi duan të sigurojnë sa më parë një biletë për të mos munguar në atë që mund të jetë një mbrëmje e paharrueshme për Kombëtaren.

Tifozet e kombetares gjate ndeshjes me Polonine. Gazeta Si, 15 shtator 2023

Edhe në ndeshjen e fundit me Poloninë në fakt kishte interes shumë të madh. Stadiumi ishte ‘sold out’ dhe skuadra e shpërbleu në fushë më atë fitore të bukur. Tani radhën e ka Çekia, që është 2 pikë pas Shqipërisë kryesuese në renditje. Në Pragë djemtë e Silvinjos barazuan 1-1, me atë gol fantastik të Bajramit.

Kombëtarja është shumë afër kualifikimit në Europian, kur i kanë mbetur edhe 3 ndeshje. Me Çekinë duhet shmangur humbja me çdo kusht për të mos e komplikuar situatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë