Ismael Benaser është zyrtarisht një lojtar i Milanit. Klubi kuqezi ka njoftuar në kanalet e veta blerjen e mesfushorit 21-vjeçar nga Empoli dhe ka bërë prezantimin e tij me fanellën e Milanit. Benaser shihet si lojtari i duhur për të qenë në regjinë e lojës së kuqezinjve. Ai ka firmosur për 5 vjet me Milanin dhe do të përfitojë 1.5 milionë eruo në sezon. Një lëvizje kjo që i ka kushtuar Milanit 16 milionë euro në total, plus 2 milionë euro bonuse. Trajneri Xhampaolo ka tashmë në dispozicion një “playmaker” që spikati sezonin e kaluar me Empolin, ndërsa muajin që shkoi u shpall kampion i Afrikës me Algjerinë dhe gjithashtu lojtari më i mirë i këtij kompeticioni. Benaser kishte kaluar vizitat mjekësore te Milani gati dy javë më parë, por zyrtarizimi ishte shtyrë për disa probleme burokratike.
“Luftë e ftohtë” tek Interi, ku është rritur së tepërmi tensioni mes klubit zikaltër dhe sulmuesit Mauro Ikardi. Argjentinasi ka vendosur përfundimisht që të mos largohet, pasi ka përfunduar koha për një transferim, që do të kënaqte si lojtarin, ashtu edhe Interin. Vendimi për të qëndruar tek Interi ka një risk të madh për Ikardin, i cili mund të qëndrojë dy vjet jashtë projektit të Kontes, sepse klubi nuk ka në plan ta ndryshojë qëndrimin karshi argjentinasit. Ish-kapiteni ka të drejtën të stërvitet me skuadrën, por nuk do të grumbullohet për ndeshje. Nëse Interi do ta përfshijë në listën e kampionatit apo të Championsit, do ta bëjë vetëm për të shmangur dëmet nga një betejë e mundshme ligjore. Zikaltrit vazhdojnë të shpresojnë se mund ta fitojnë garën me Juventusin për Lukakun, në të kundërt duhet të rrisin ofertën për Xhekon e Romës.
Juventusi nuk po arrin të mbyllë shkëmbimin Lukaku-Dibala. Pengesë për këtë lëvizje duket se janë bërë të drejtat e imazhit për futbollin argjentinas të Juventusit. Megjithatë, bisedimet vazhdojnë, pasi edhe Mançester Junajtid është i predispozuar të lejojë largimin e sulmuesit belg për të marrë Dibalën, pasi ka nevojë për më shumë fantazi në sulm. Nga ana tjetër, është zhbllokuar situata për kalimin e portugezit Kanselo të Mançester Siti. Klubi i Guardiolës ofron 35 milionë uro, plus brazilianin Danilo për të marrë Kanselon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.