Futboll

Të enjten vjen Reali, Shkodra me emocione Championsi nga Vllaznia e femrave

Gazeta Si – Të enjten në ‘Loro Boriçi’ vjen… Real Madrid. Një njoftim që duket si një shaka, apo një montazh tifozësh. Por jo, nuk është kështu. Këtë njoftim e bën faqja zyrtare e Vllaznisë, sepse të enjten në Shkodër vjen vërtet ekipi i madh spanjoll.

Ai i femrave. E sjell Vllaznia në futboll për femra, ekipi që këtë sezon ka hyrë në histori. Për herë të parë një ekip futbolli femrash ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Dhe shorti e ka shpërblyer, duke i dhuruar tre emra të mëdhenj të futbollit europian, Realin, Çelsin dhe PSG-në. Do të jetë një aventurë e gjitha për t’u shijuar nga vajzat e Vllaznisë, të cilat e kanë përmbushur tashmë misionin e tyre.

Misioni i radhës ëhstë argëtimi në fushë dhe i tifozëve në tribunat e Loro Boriçit. Këta të fundit do të kenë shansin të presin në stadiumin e tyre Realin të enjten, në orën 18:45.

Vllaznia e presidentit Lazër Matija është përforcuar shumë në merkato, me futbolliste amerikane dhe të huaja të tjera, pasi kalimi në grupet e Championsit kuptohet që kërkon më shumë cilësi.

Të enjten në mbrëmje tifozët shkodranë do të përjetojnë emocione të pazakonta, që ua dhuron Vllaznia e femrave. Pas Realit, ‘Loro Boriçin’ do ta vizitojnë edhe Çelsi dhe PSG.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë