Kosova

Të enjten në Bruksel nis puna e grupit të ekspertëve Kosovë-Serbi për targat

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të enjten do të zhvillohet takimi i parë i grupit të punës për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi i parë i grupit punues për targat e veturave me ekspertët nga të dyja palët do të zhvillohet më 21 tetor. Grupi punues ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje”, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano shtoi se grupi i ekspertëve do të takohet rregullisht.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup pune, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.

Ndërkaq, Stano tha se takimet e ekipeve negociuese dhe ato të nivelit të lartë do të zhvillohen në mënyrë të pavarur nga takimet e këtij grupi punues.

Megjithatë, Stano tha se “nuk ka ende një datë” për takimet e negociatorëve apo takimeve në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, porse po punojnë në atë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë