Politike

Zgjedhjet në Rrogozhinë, debat të votojnë apo jo të burgosurit  

Të dielën në Rrogozhinë pritet të ketë ripërsëritje zgjedhjesh mes kandidatit të PS-së, Edison Memolla, dhe Shkëlqim Hoxhës të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Rrogozhinën, Erion Veliaj, është shprehur i sigurt për fitore, ndërsa Sali Berisha në anën tjetër ka pranuar se fitorja nuk është e lehtë, por jo e pamundur.

Ndërkohë ‘në lojë’ janë votat e të burgosurve ata që i dhanë fitoren në momentin e fundit kandidatit të PS-së, Edison Memolla me një rezultat të ngushtë.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha të shtunën se 122 të burgosurit në Rrogozhinë pritet të mos votojnë.

“Në burgun e Rrogozhinës besoj nuk do të votohet, për shkak të mënyrës si është përgatitur lista e zgjedhësve në mospërputhje me Kodin Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor i shpalli të pavlefshme zgjedhjet, e me ripërsëritjen e tyre, të burgosurit nuk kanë të drejtë vote”, tha Ilirjan Celibashi, që nuk është pritur mirë nga PS-ja.

“Deri në momentin që ne flasim nuk na rezulton që të jetë ngritur një Qendër Votimi në institucionin e posaçëm të vendit të vuajtjes së dënimit. Është kompetencë e drejtorisë së atij institucioni për të vendosur nëse do ta ngrejë atë qendër votimi apo jo. Deri më sot do duhej të kishim një njoftim. Më tej nuk do të bënte sens”, është shprehur ai.

Gjithcka pritet të mësohet vetëm të dielën, ndërsa deri tani fushata ka vijuar e qetë.

Në zgjedhjet e 14 majit pas shpalljes së rezultatit, ankimimit në Kolegj Zgjedhor dhe rinumërimit të votave, kandidati i PS-së, Edison Memolla mori 5129 vota, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha 5108 vota.

Vendimi për të përsëritur zgjedhjet u mor nga Kolegji Zgjedhor me argumentin se 15 nga të burgosurit që votuan duhet të kishin me patjetër vendbanimin në Bashkinë Rrogozhinë.

E gjithë kutia e burgut ishte votuese për kandidatin e PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë