Rend dhe Ligj

Të burgosurit ‘VIP’ transferohen nga Durrësi në Fier, mes tyre Lefter Koka e Vangjush Dako

Gazeta Si - Pas vrasjes në burgun e Peqinit javën e shkuar, të gjithë personat VIP që ndodhen në paraburgimin e Durrësit, janë transferuar në burgun e Fierit.

Sipas burimeve paraprake, të zhvendosurit: janë Vangjush Dako; Lefter Koka; Alqi Bllako; Oltion Bistri; Safet Gjici; Lefter Alla; Dedan Gjoni; Fran Tuci; Xhevahir Lita.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar disa ndryshime në organizimin e sektorëve në qelitë e vuajtjes së dënimit, të cilat konsistojnë në rritjen e sigurisë në këto ambiente dhe për të shmangur të dënuarit në konflikt interesi.

Në burgun e Fierit, është caktuar një sektor i posaçëm, ku do të qëndrojnë ish-zyrtarët e shtetit, të përfshirë në afera korrupsioni, apo shpërdorimi detyre. Pas miratimit të ndryshimeve 10 ish-zyrtarë u transferuan nga burgu i Fierit, pranë këtyre ambienteve.

Bëhet fjalë për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako, por edhe ish-kryebashkiakët socialistë Vangjush Dako, Fran Tuci, Lefter Alla, Safet Gjici dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.

Në listën e 10 të pandehurve të transferuar në paraburgimin e Fierit, janë dhe ish-zyrtarët e drejtësisë dhe policisë, Oltion Bistri, Dedan Gjoni dhe ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, të arrestuar në operacionin "Metamorfoza".

Lëvizjet e të paraburgosurve janë kryer befasisht pas ngjarjeve në Peqin dhe informacioneve se të burgosurit në burgun e Durrësit po trajtoheshin në mënyrë të privilegjuar.

Bëhet fjalë për personazhe që janë ende nën hetim nga SPAK për korrupsion, pastrim parash apo shpërdorim detyre.

Një ndryshim rrënjësor është edhe funksionimi i regjimit të posaçëm 41-bis. Ndonëse më herët kishte qeli për regjimin "41-Biss" vetëm tek burgu 313 tashmë do të ketë edhe në burgjet e tjera.

Më 15 dhjetor Arben Lleshi, i dënuar me burgim të përjetshëm mbeti i vrarë ndërsa Ilir Shaqja edhe ky i denuar me burgim te perjetshem u plagos.

Autori i kësaj ngjarje të rëndë është Sokol Mjacaj, i dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015.

Në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri me dije se kishte pasur një konflikt mes tre të burgosurve dhe se fillimisht dy prej tyre ishin plagosur, ndërsa Mjacaj ishte vënë nën kontroll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë