Politike

‘Të bashkëpunojmë ose do dështojmë për të qenë në BE’. Rama ‘justifikon’ mungesën e Kurtit në Samit: Nuk erdhi për arsye objektive

Nga Gazeta ‘Si’- Në fjalën e tij hapëse në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri thirrje që vendet e rajonit të lënë mënjanë konfliktet dhe çështjet dypalëshe të zgjidhen përmes dialogut.

“Plani i ri i rritjes i BE-së në vetvete është një rezultat inkurajues. Nuk mund të isha më falënderues së kaq ndaj presidentes Ursula Von Der Leyen e Varheley dhe gatishmërinë e tyre për të dëgjuar shqetësimet tona.

Mundësitë mund të të merren ose humben, ne duhet të angazhohemi plotësisht pa asnjë hezitim, pa kufizime e shtrëngime. Unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse midis tyre, por bëj thirrje që t'i lënë mënjane këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara për të transformuar rajonin e vendet tona.

Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë. Çështjet dypalëshe mbeten por duhet të zgjidhen përmes dialogut dy palësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë bashkëpunim shumë palësh”, tha Rama ndërsa u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që sëbashku të ndërmarrin hapat e nevojshme drejt integrimit në BE, ose në të kundërt do të dështojnë.

“Procesi i Berlinit na ka mësuar sesa e lehtë të thuash dhe të bësh është sigurimi i lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia ndërmorën nismën e Ballkanit të Hapur për të përshpejtuar procesin e Berlinit. Në planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë ose të marrim hapa të nevojshme për të ecur më pranë BE e njëri tjetrit ose do të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE e për tu dhënë ekonomive dhe qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre.

T’u japim qytetarëve tanë rrugën drejt BE. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen ekonomike të njëra-tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose kjo mungesë do na bëjë që të humbasim paqen. Më vete jemi të gjithë të vegjël. Së bashku mbartim rëndësi. Si mund të bëhemi më të lirë dhe më të mëdhenj nëse kamionët tanë duhet të presin ende 26 orë në ditë. Si mund të heqim këto barriera? A mos jemi dembelë? Të çmendur? Budallenj, apo çfarë jemi? A nuk është ende e qartë për secilin prej nesh se nuk ka rrugë të shkurtër për në BE”, deklaroi Rama.

Në fund Rama 'justifikoi' edhe mungesën fizike të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i cili në samit do të jetë i pranishëm përmes një video-mesazhi.

“Këtu përfundon pjesa publike për median. Ne do të vazhdojmë me deklaratat e udhëheqësve. Më lini t’ju them paraprakisht se për shkak të arsyeve objektive, kryeministri i Kosovës nuk është i pranishëm”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë