Politike

Ekskluzive / Mungesa e Albin Kurtit në Samit. Çfarë tha Vuçiç dhe Rama pas dyerve të mbyllura 

Nga Gazeta Si - Kur kamerat e regjisë u fikën pas fjalës së Drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert-Jan Koopman, brenda mbledhjes së Samitit të  Ballkanit Perëndimor me BE, ka patur zhvillime të tjera që tregojnë shumë për situatën delikate politike në Ballkanin Perëndimor. 

Në mungesë të kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Malit të Zi, Presidenti i Serbisë , Aleksandër Vuçiç ka mbajtur qendrime të pazakonta për një samit të një niveli të tillë. Gazeta ”Si” ka mësuar se Presidenti serb ka qenë i ashpër me të dy vendet. “Shumë mirë që mungon lideri i Kosovës dhe Malit të Zi, se nuk kam kohë të dëgjoj përrallat e tyre”- është shprehur Presidenti i Serbisë në fillim të deklaratës së tij në Samit.

Burime diplomatike nga samiti, konfirmuan për Gazetën “Si” se edhe mbyllja e fjalimit nuk i kushtohej çështjes së integrimit, por mungesës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“30 minuta u kushtonin për të ardhur këtu”- ka thënë Aleksandër Vuçiç, megjithëse kryeministri Rama, publikisht tha se kryeministri i Kosovës nuk mund të ishte i pranishëm për arsye objektive.

Albin Kurti ndodhej mbrëmë në Irlandën e Veriut në një vizitë të parashikuar përpara samitit në Tiranë. Megjithatë, pa praninë e kamerave, kryeministri Rama, nuk ka kursyer një dozë ironie në adresë të Albin Kurtit, pas përfundimit të fjalimit të Presidentit Vuçiç.

“Epo e kemi rrugën me tra, prandaj s’ka ardhur”- është shprehur Kryeministri Rama.

Vite më parë, Albin Kurti është shprehu hapur kundër vendosjes së tarifës koncesionare në rrugën Milot-Morinë, duke e cilësuar si haraç ndaj bizneseve të Kosovës dhe skllavëri të shtetit shqiptar ndaj koncesionarit.

Përtej kësaj, qendrimet dhe batutat pas dyerve të mbyllura sot në Samitin me BE, flasin për tension mes kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë