Ekonomi

Të ardhurat tkurren me 1.4% për 3-mujorin e parë të 2021

Të ardhurat buxhetore të Shqipërisë ende nuk i kanë arritur ritmet e para pandemisë  duke u tkurrur me 1.4% me bazë vjetore për periudhën janar-mars. 

Sipas përmbledhjes të performancës paraprake të treguesve fiskalë për periudhën mujore (Janar-Mars 2021), të ardhurat totale për 3 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 108.6miliardë ose 101% të planit të 3-mujorit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën me dije se shpenzimet e përgjithshme publike janë realizuar në masën 96% të planit të periudhës ndërsa niveli i deficitit rezultoi në rreth 7 miliardë lek.

Sa u përket të ardhurave doganore, ata u realizuan në vlerën 38.3 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se tremujori i vitit 2020 si dhe 1 miliardë lekë ose 2.7% më shumë se plani i të ardhurave doganore për tremujorin e vitit 2021.

Sipas Analizës së 60 grupmallrave, peshën më të madhe të kontributit në totalin e të ardhurave doganore, prej 55%, e zënë 7 produkte që përkatësisht janë: karburant importi me 23.3% të të ardhurave, cigaret me 12.9%, metalet bazë dhe artikujt e tyre me 5.9%, automjetet e përdorura me 4.5% të të ardhurave, plastika dhe artikujt me 2.8%, veshjet tekstile me 2.8% dhe ushqimet e përgatitura me 2.6% të të ardhurave.

Të ardhurat nga TVSH në import për tremujorin e parë rezultojnë 25.8 miliardë lekë ose 14.1% më shumë se një vit më parë si dhe 1 miliardë ose 3.9% më pak se plani për tremujorin e 2021.

Gjatë këtij tremujori, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë importi i automjeteve  të përdorura, plastika dhe artikujt, materialet e ndërtimit.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 10.3 miliardë lekë, 132 milionë lekë ose 1.3% më shumë se viti 2020, si dhe 1.4 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se plani i akcizës për tremujorin 2021.

Ndikimin më të madh e ka patur produkti karburant importi, me një rritje 9 mijë ton dhe një efekt +421milionë lek më shumë se viti i kaluar.

Të ardhurat tatimore për tremujorin 2021 u realizuan në masën 59.7 miliardë lekë , 1.9% më shumë se tremujori i vitit të kaluar si dhe 554 milionë lekë, ose 0.9% më shumë se plani i tremujorit të vitit 2021.

Sa u përket shpenzimeve të përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2021, arritën në rreth 115.7 miliard lekë me një realizim në masën 96% të planit të periudhës, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky zë ka rezultuar se është rritur me 8.2% ose rreth 8.8miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente dhe kapitale për këtë periudhë kanë shënuar një realizim në masën 94.6% dhe 97.7% të planit të periudhës, në terma vjetorë janë realizuar në 21.7% dhe 12.1% të tij.

Niveli i deficitit për periudhën tremujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 7.16 miliardë lek ose rreth 4.37 miliardë lek më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Për periudhën tremujore,niveli i deficitit ishte planifikuar në masën 13.5 miliardë lek.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë