Atletike

Taulant Stërmasi zgjidhet president i atletikës, nuk është më trajner i Gegës

Gazeta Si – Federata Shqiptare e Atletikës ka një president të ri dhe ai është Taulant Stërmasi. Ai ka fituar mandatin 1-vjeçar në zgjedhjet që u zhvilluan sot, ku kandidonin edhe Artan Shyti dhe Ferdinand Cani.

Stërmasi doli fitues në raundin e dytë, duke marrë 10 vota, ndaj 7 të Canit. Në raundin e parë Stërmasi kishte marrë 8 vota, Cani 6 dhe Shyti 3. Tre kandidatët prezantuan më parë programet e tyre, kurse ish-presidenti Gjergji Ruli, tashmë i dënuar, i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin.

Me zgjedhjen president të Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi nuk është më trajner i Luiza Gegës, atletes më të mirë shqiptare.

Taulant Stermasi. Gazeta Si, 19 maj 2023

"Kam dhënë dorëheqjen si trajner që ditën e parë, kur kam menduar të jem kandidat për president i Federatës Shqiptare të Atletikës. Me Luizën po shohim për të gjetur një trajner të kalibrit ndërkombëtar. Do ketë mbështetjen time gjatë gjithë kohës, sikurse dhe Franko Burraj, apo Izmir Smajlaj”, - tha Stërmasi.

Presidenti i ri ka një projekt për atletikën në shkolla: "Brenda javës tjetër do të shkojë një projekt në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Tani po bëhet gati grupi i seleksionuesve si trajner. Do të kërkohet edhe inventarizimi për të ditur ku mund të bëhet atletikë nëpër qytete. Vetëm kështu mund të jemi pjesë e projektit ‘Atletika në Shkolla".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë