Ekonomi

‘Tatimet’: Birra ‘Tirana’ ka 1.7 mln euro detyrime të papaguara, kallëzim penal dhe bllokim të llogarive

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se ka ushtruar kontroll në subjektin “Birra Tirana” sh.a., gjatë të cilit kanë rezultuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh ligjore.

Përmes një njoftimi zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, “kontrolli në këtë subjekt është iniciuar pasi ai kishte detyrime të prapambetura tatimore, që arrinin në vlerën e 1.7 milionë eurove si dhe për të kishte një denoncim të mbërritur në rrugë zyrtare pranë Administratës Tatimore”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar gjatë muajve janar – prill 2022, ka rezultuar se shoqëria “Birra Tirana” sh.a. ka kryer shitje të produkteve pa dokumentacion tatimor në vlerën 18 milionë lekë, të konstatuara në kushtet e flagrancës. Ky subjekt ka kryer shmangie të detyrimeve tatimore dhe doganore bazuar në diferencat në inventar...”, thuhet në njoftim

Lidhur me shkeljet e konstatuara, tatimet kanë kryer kallëzim penal pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë.

“Ndërkohë detyrimet e prapambetura të subjektit “Birra Tirana” sh.a. lidhen me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatim-Fitimin, Tatimin e Mbajtur në Burim, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve nuk janë paguar që prej vitit 2019.

Detyrimet e këtij viti duhet të ishin shlyer brenda tre muajve të parë të vitit 2020 dhe ato përfshinin:

Rreth 127 milion lekë TVSH e paderdhur bashkë me gjobën për shkak të vonesës, nga të cilat rreth 82 milion lekë TVSH e pashlyer dhe 44 milion lekë gjoba për tejkalim të afateve;

Rreth 15.6 milion lekë detyrime, që burojnë nga tatim-fitimi, bashkë me gjobën për shkak të vonesës;

Rreth 5.6 milion lekë Tatimi në Burim, bashkë me gjobën për vonesat;

Rreth 39 milion lekë detyrime të papaguara të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, bashkë me gjobën përkatëse për vonesat”, thuhet në njoftim.

Në total, detyrimet e “Birra Tirana” sh.a. sipas tatimeve arrijnë në rreth 188 milionë lekë, ose rreth 1.7 milion euro.

“Për arkëtimin e tyre, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vendosur masën e bllokimit të llogarive dhe pasurive të tjera në emër të kompanisë ‘Birra Tirana’ sh.a.”, thuhet ne njoftim


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë