Futboll

Tares nuk i mbajnë nervat: Histori e një vdekjeje të paralajmëruar!

Drejtuesit e Lacios kanë dalë mjaft të irrituar nga stadiumi “San Siro”, pas humbjes 1-0 me Milanin. Mjaft i ashpër është treguar edhe këtë herë drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, i cili u shpreh se arbitrimi po bëhet një makth dhe se ndaj Milanit ndodhi ajo që klubi i tij i druhej më shumë: "Kjo është historia e një vdekjeje të paralajmëruar. Ajo që kishim frikë para ndeshjes, ndodhi. Na vjen keq të shkojmë pa pikë në shtëpi pas një ndeshjeje të luajtur shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. Kjo ndeshje duhej të ishte vendosur në fushë dhe jo nga episodet”, - tha Tare për “Dazn”.

Tërbimi i drejtuesve të Lacios erdhi pas penalltisë së dhënë në favor të Milanit dhe një penalltie të padhënë për Lacion, kur Milinkoviç-Saviç u pengua në zonë. Tare ka folur më pas, duke iu referuar episodeve konkrete: "Më habiti shpejtësia e arbitrit Roki për të vërshëllyer për penallti në rastin e faullit inegzistent të Açerbit. Në rastin e dytë, penalltia mund të ishte ose jo. Ishte një dyluftim trup më trup i Muzakios dhe Durmishit. Lojtari i Milanit u rrëzua sikur ta kishin qëlluar me armë. Rasti i Milinkoviç-Saviç është penallti neto, sepse është e vërtetë që Rodriguez prek topin, por më parë bën faull. Vendimet arbitrare po na dëmtojnë gjithmonë, që në sezonin e kaluar. Nuk dua të bëj viktimën, ecim përpara. Në fund do të bëjmë llogaritë. Pas 10 ditësh kemi edhe ndeshjen gjysmëfinale në Kupën e Italisë ndaj Milanit".

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, duke debatuar me arbitrat sezonin e kaluar

Pas humbjes minimale me Milanin, e vendosur nga penalltia e Kesi, Lacio ka zbritur nga zona europiane dhe javët e mbetura do të jenë vendimtare. Shtypi italian ka vlerësuar portierin e Kombëtares, Tomas Strakosha, për nivelin që tregoi ndaj Milanit, duke e konsideruar ndër siguritë e pakta të Lacios. Strakosha ka bërë disa pritje vendimtare dhe është vlerësuar me notën 7.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë