Kombetarja

Tani e shohim kundërshtarin në sy dhe i themi: Ti do mundesh sot!

Nga Fatjon Rupi – Në morinë e deklaratave pas triumfit të madh ndaj Çekisë, që thuajse e certifikon Shqipërinë në Euro 2024, ajo e Berat Gjimshitit ishte pak më e veçantë dhe mjaft domthënëse. Kapiteni kuqezi, me një fjali të shkurtër tregoi ndryshimin e madh që ka pësuar Kombëtarja.

‘Tani e shohim kundërshtarin në sy dhe i themi: ti do mundesh sot’, - tha mbrojtësi me eksperiencë pak minuta pas fitores me 3 gola ndaj çekëve, rivalëve më të fortë të grupit. Në thelb është një deklaratë shumë e vërtetë, që shpreh stadin, ku Kombëtarja shqiptare është ngjitur: asnjë kundërshtar nuk është më i pamposhtur për kuqezinjtë. E thënë nga goja e një lojtari që luan në Champions thuajse rregullisht, duhet besuar.

Kuqezinjte festojne fitoren ndaj Çekise, 3-0. Gazeta Si, 13 tetor 2023

Janë bërë bashkë shumë faktorë, që e bëjnë këtë skuadër kompetitive, që të kryesojë bindshëm grupin e saj, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë, që të shënojë 7 gola në ‘Air Albania’ dhe të mos pësojë asnjë, që të jetë vetë e zonja e fatit të saj.

Tashmë është bërë i famshmi ‘il salto di qualita’ (kapërcimi i nivelit, i cilësisë), për të cilën paraardhësit e Silvinjos, Reja dhe Panuçi, folën gjithë kohën, por nuk e bënë asnjëherë. E bëri braziliani në pak kohë, me shumë thjeshtësi dhe përulësi, me një punë të jashtëzakonshme dhe disa zbulime inteligjente lojtarësh.

Forca e Shqipërisë tashmë është fakt, nuk është më çështje fati, siç mund të thuhej në fillim të këtyre kualifikueseve. Kombëtarja është solide, kompakte, krijuese, me variacione taktike dhe me lojtarë me nivel të lartë teknik, por mbi të gjitha është fryma e grupit. Të gjitha fitoret e deritanishme janë fitore të një skuadre të vërtetë, pavarësisht se janë zgjidhur me veprime individuale të disa lojtarëve.

Është ajo empatia trajner-lojtarë, të cilën e evidentoi Igli Tare pas ndeshjes me Çekinë. Para aftësive profesionale teknike, Silvinjo ka një aftësi shumë të veçantë në marrëdhënien që ka krijuar me lojtarët. Këta të fundit luajnë për trajnerin dhe ai bën gjithçka për t’i dhënë secilit atë që meriton.

Jemi në raportin perfekt trajner-lojtar dhe rezultati duket në fushë. Shqipëria është e kompletuar në stol dhe në skuadër, nuk i mungon asgjë për të shkuar në Gjermani. E meriton para emrave të mëdhenj të grupit, si Polonia dhe Çekia.

Një sukses pa Brojën dhe Kumbullën
Që është një sukses falë frymës së grupit nuk ka diskutim. Në këto eliminatore Shqipërisë i kanë munguar Armando Broja dhe Marash Kumbulla, për shkak dëmtimesh të gjata. Janë dy nga lojtarët me vlerën më të madhe individuale në radhët e kuqezinjve. Megjithatë, këto mungesa nuk janë ndjerë çuditërisht.

Sepse Silvinjo nuk është bazuar tek asnjë individ, por te grupi, te shpirti, sakrifica dhe djersa që duhet derdhur në fushë për të arritur atë që do. Dhe e ka arritur mësë miri. Ka ditur po ashtu të menaxhojë ndonjë pakënaqësi të momentit, siç mund të ketë ndodhur me Balliun, Baren, Uzunin e ndonjë tjetër për aktivizimin e paktë.

Shqipëria mbi të gjitha. Herët a vonë të gjithë do të kenë shansin e tyre të japin diçka për fanellën kuqezi. Tani kërkesat janë rritur, pritshëmritë janë rritur. Kjo Kombëtare me siguri nuk do të jetë turiste në Gjermani. Tani e sheh çdo kundërshtar në sy me besimin se do ta mposhtë, se do të fitojë falë forcës, kualitetit dhe stafit që e drejton. Kjo është Shqipëria më e mirë e të gjitha kohërave, pa dyshim!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë