Marash Kumbulla mund të bëhet “djall” shumë shpejt. Te futbollisti shkodran i Kombëtares shqiptare dhe Veronës i ka hedhur sytë edhe klubi i madh anglez i Mançester Junajtid. Lajmi bëhet i ditur nga britanikja “Daily Star”. Trajneri Ole Gunar Solskjaer po kërkon një zëvendësues për Herri Meguajër, i cili ka pësuar një dëmtim serioz dhe do të mungojë gjatë. Dhe një alternativë e mirë është edhe 19-vjeçari shkodran, i kërkuar edhe nga klube të tjera në Itali.
Tani gara është bërë vërtet serioze për mbrojtësin e qendrës. Kumbulla po përjeton një moment fantastik dhe personaliteti që ai tregon në fushë ka bërë që Mançesteri të ofrojë jo pak, por 15 milionë euro. Një shifër e konsiderueshme, që Verona vështirë ta refuzojë, por mund të rezistojë për momentin për të përfituar sa më shumë, duke parë edhe interesin e disa klubeve të tjera të mëdha.
Një lëvizje që i prish jo pak punë Interit. Shtypi sportiv italian shkruan se ka një akord paraprak mes klubit zikaltër, që do të thotë se ai do të bashkohet me Interin në verë, por me futjen në lojë të Mançester Junajtid situata komplikohet. Përveç këtyre klubeve, edhe Juventusi e ka në listë emrin e Kumbullës, ashtu si dhe Atalanta dhe Lajpcigu në Gjermani. Klubi i Veronës patjetër që do të zgjedhë ofertën më të mirë financiare, që për momentin është ajo e Mançesterit. Marash kumbulla e ka të ardhmen përpara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.