Kombetarja

Talenti i Tiranës i jep fitoren Kombëtares U-19 ndaj Islandës

Një ditë pas fitores 1-0 të Shqipërisë ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve, ishte radha e kuqezinjve të vegjël për të regjistruar një tjetër sukses, me të njëjtat shifra. Kombëtarja U-19 e futbollit, e drejtuar nga trajneri Erjon Bogdani, ka mundur Islandën në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin e Lushnjës “Roza Haxhiu”. Ishte një ndeshje testusee dhe qëllimi i trajnerit Bogdani, ish-“bomberit” të Kombëtares, ishte të shihte gjendjen e çdo lojtari. Rezultati në të tilla raste është në plan të dytë, por sigurisht që fitorja ka vlera për kuqezinjtë e vegjël.

Goli i fitores në këtë ndeshje ka për autor sulmuesin e ri të Tiranës, Ernest Muçin, i cili u aktivizua si zëvendesues dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt e përcolli topin në rrjetë me një veprim të bukur teknik, duke gjuajtur në mënyrë të befasishme. Një lojtar me të ardhme, që jo rastësisht trajneri Ze Maria e ka aktivizuar te Tirana dhe ndoshta tani do t’i japë më shumë minuta. Muçi ka shënuar të vetmin gol për Tiranën në kampionat, në ndeshjen me Kukësin.

Ernest Muçi, sulmuesi i ri i Tiranës, i gëzohet golit ndaj Kukësit

Trajneri i Kombëtares U-19, Bogdani, duket se ka një brez vërtet të talentuar dhe disa lojtarë shumë shpejt do të jenë pjesë e Kombëtares U-21. Më 10 shtator, 19-vjeçarët do të luajnë edhe një tjetër miqësore po me Islandën, por këtë herë në stadiumin “Elbasan Arena”. Ndeshje të tilla e ndihmojnë më shumë trajnerin Bogdani të evidentojë elementët më të mirë. Ndeshjen e zhvilluar në Lushnjë ai e nisi me këtë formacion: Alia, Isufi, Kalaj, Dragoshi, Pëllumbi, Rama, Koçi, Liço, Oshafi, Gavazaj dhe Halili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë