Politike

Takuan Vitore Tushën, Kim dhe Soreca: Institucionet të tregojnë pavarësi

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, dhe ai i BE-së, Luigi Soreca, ishin në një zë sot për rolin e Vitore Tushës në krye të KED pas largimit të Ardian Dvoranit.  Pas takimit të zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese dhe vetëm pak orë para fillimit të mbledhjes së KED, ambasadorët Kim dhe Soreca kanë përcjellë qëndrime thuajse të njëjta në Twitter për reformën në drejtësi në përgjithësi dhe rolin e Kushtetueses në veçanti.

“Respekte për gjyqtaren Tusha për vendosmërinë e saj në zbatimin e Reformës në Drejtësi. SH.B.A mbështet fuqimisht atë, gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që kanë kaluar vettingun. Koha që institucionet të ngrihen dhe të tregojnë pavarësi dhe integritet”, shkruan Yuri Kim në Twitter.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, shkruan se roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është thelbësor për të përshpejtuar ngritjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese

 “Së bashku me ambasadoren e SHBA-ve, sot takuam znj.Vitore Tusha, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Krijimi i një gjykate kushtetuese funksionale është jetik për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë. Roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është thelbësor për të përshpejtuar këtë proces”, shkruan Soreca në Twitter.

Sipas Soreca-s, komisioni i Venecias është një mundësi e mirë për të gjetur dakordësi në lidhje me procedurat që duhen ndjekur për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Presim të kemi vlerësime të shpejta dhe renditje të kandidatëve për tre vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni i Venecias është një mundësi e mirë për të gjetur dakordësinë se si të vazhdohet për të arritur funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, si institucioni i vetëm që mund të interpretojë Kushtetutën, si dhe të japë vendime për konflikte kushtetuese”, shkruan ai.

Fryma e reformës në drejtësi, sipas tij, është për të garantuar pavarësi.

“Komisioni i Emërimeve në Drejtësi është krijuar për këtë qëllim, ndaj vlerësimi i kandidatëve duhet të jetë bërë në mënyrë të pavarur dhe profesionale. BE qëndron përkrah Shqipërisë dhe të ardhmes së saj si anëtare e bllokut”, shkruan ai.

 Të martën mblidhet edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. “Pikat në rend të ditës janë: 1. Diskutime dhe vlerësime në lidhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin e datës 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. 2.Të tjera që lidhen me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara”.

Ky këshill bën me dije se mbledhja e radhës do të organizohet në ambientet e Gjykatës së Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë