Kosova

Takimi në Bruksel, Petkoviç: Këmbëngulëm për themelimin e Asociacionit

Nga Gazeta 'Si'-Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t'i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Çfarë u tha në Bruksel?

Petkoviç tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe, ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse kjo, sipas tij, "do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë".

Petkoviç tha se është gjithashtu e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje, e cila do të mundësonte vazhdimin e funksionimit të bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimorja e Postës.

Ai shtoi se pret që bisedimet të vazhdojnë "në frymë konstruktive".

Petkoviç tha, po ashtu, se bashkëbiseduesi i tij nga Prishtina ka insistuar gjatë gjithë kohës për një lloj formalizimi të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, delegacioni serb, sipas tij, ka folur për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit, sepse marrëveshja për të, kujtoi ai, është nënshkruar tashmë edhe nga Beogradi, edhe nga Prishtina, ashtu si edhe nga BE-ja.

Bislimi u tha gazetarëve se pala serbe konfirmoi se nuk është e gatshme ta zbatojë plotësisht atë. Sipas Bislimit, kryenegociatori serb, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të Lajçakut, tha se marrëveshja me Kosovën "është problematike" për shkak të pjesës që ka të bëjë me statusin e Kosovës.

"Lajçak konstatoi se Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim dhe, rrjedhimisht, kjo do të duhej të diskutohej në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve", tha Bislimi.

Në postimin në X, Lajçak konfirmoi shkurtimisht se marrëveshja do të duhej të adresohej nga udhëheqësit.

Një ditë më herët, Bashkimi Evropian paralajmëroi se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë