Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, krah përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe FMN-së, tregoi faktorët që kërcënojnë ekonominë e Shqipërisë dhe sugjeroi disa zgjidhje. Duke përshkruar të gjithë panoramën e 2023-shit në takimin e Konstituencës BB-FMN, Sejko theksoi se Shqipëria rrezikohet nga plakja e popullsisë, rritja e ulët e produktivitetit dhe kufizimet në tregun e punës.
Lidhur me to, por edhe me risqet gjeopolitike, Sejko sugjeroi katër pika ku kërkohet bashkëpunim me qeverinë dhe aktorë të tjerë. Përpos arritjes së objektivit të inflacionit, ai rekomandoi krijimin e hapësirave fiskale për t’i paraprirë goditjeve në të ardhmen si edhe një trajtimin e rreziqeve financiare.
“Politikat strukturore duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt nxitjes së rritjes të qëndrueshme. Në kontekstin botëror dhe europian, përballë një realiteti kompleks gjeopolitik, ne duhet të punojmë për të ruajtur – për aq sa është e mundur – integrimin ekonomik dhe tregjet e lira të produkteve, të punës e të kapitalit, si një proces i cili ka sjellë progres të dukshëm për të gjithë aktorët e përfshirë.
Paralelisht me to, reformat e brendshme strukturore duhet të fokusohen në përkrahjen ndaj inovacionit, në trajnimin dhe rikualifikimin e vazhdueshëm të fuqisë punëtore, si dhe në stimulimin e tranzicionit të gjelbër dhe të revolucionit teknologjik. Ndërkohë, vendet në zhvillim si Shqipëria, duhet të fokusohen në mbylljen e boshllëqeve të investimeve në infrastrukturë dhe në krijimin e një ambienti sa më stimulues për nxitjen e investimeve të brendshme dhe atyre të huaja”, tha Guvernatori Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.