Kosova

Takimi me Escobar, opozita kosovare: Na tha që raportet SHBA-Kosovë janë në nivelin më të ulët se kurrë

Nga Gazeta ‘Si’ - Opozita në Kosovë ka akuzuar sërish qeverinë Kurti se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë kurrë në nivel më të ulët se sot.

Pas takimit të djeshëm me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, liderët opozitarë u shprehën se kjo situatë është shqetësuese për ta.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ndërsa ndau detaje nga takimi u shpreh se mungesa e bashkëpunimit me SHBA-në sjell pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Sa i përket takimit të mbrëmshëm, ishte një takim informues mbi relacionet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së, për ta thënë më thjesht, në atë që na u tha qartë dhe zëshëm se nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët sesa që janë sot.

Mungesa e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë kryesorë, me SHBA-në, sjell pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për ne. Tani Kurti përfaqëson Qeverinë e Kosovës dhe këto pasoja patjetër se barten edhe në fatin e Kosovës. Por është obligim i gjithë nesh të ruajmë dhe kultivojmë këto relacione se janë të domosdoshme, janë të pazëvendësueshme”, u shpreh ai.

Emisari Gabriel Escobar, ambasadori i SHBA-së Jeffrey Hovenier dhe liderët e partive opozitare në Kosovë

Liderët e partive politike opozitare, PDK, LDK dhe AAK, u thirrën në një takim nga emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

Sot pasdite ai pritet të takojë kryeministrin Albin Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë