Kosova

Escobar: Vendimi për dinarin katastrofik dhe jokompetent. Kemi probleme komunikimi me Kurtin

Nga Gazeta 'Si' - I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton euron si valutën për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata në Bruksel gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ketë parasysh shqetësimet e komunitetit serb dhe mekanizmit ndërkombëtar për trajtimin e minoriteteve brenda Kosovës”.

Ai ka rikujtuar se Francës i është dashur gati një vit për të adoptuar euron ndërsa në veri të Kosovës kanë dashur të zbatojnë vendimin brenda 3 javëve”.

Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb.

Qysh prej 10 marsit e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi.

Escobar pritet t'i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars.

I pyetur pse nuk po e viziton edhe Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se situata në Kosovë është “e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”.

'Probleme në komunikimin' me Kurtin

I pyetur për pasojat e mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë për moszbatim të marrëveshjes së Ohrit, Escobar ka thënë se Prishtina zyrtare duhet të nisë punën drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia t’i konsiderojë si obligative zotimet e bëra.

Sipas tij, pasojë e mospërmbushjes së zotimeve të marrëveshjeve do të jetë ngadalësimi në rrugën e integrimeve evropiane.

Escobar e ka pranuar se ekziston një çarje në komunikimet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.

Dialogu është në 'moment kritik'

Escobar e ka konsideruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – të nisur qysh më 2011, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – “në një moment kritik”.

Ai e ka pranuar se Uashingtoni ka probleme në drejtimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj të Ohrit “në rrugën e duhur”, dhe që sipas perspektivës amerikane, “nuk ekziston asnjë alternativë përveç dialogut”.

I pyetur për pasojat e mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë për moszbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Escobar e ka përmendur ngadalësimin në rrugën e integrimeve evropiane.

Më shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për një marrëveshje me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në mars të atij vitit në Ohër është arritur pajtueshmëri edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazike./ Marrë nga REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë