Kosova

Takimi Kurti-Abdixhiku: A do të arrihet një marrëveshje politike para 6 gushtit?

Nga Gazeta ‘Si’- Vetëm tri ditë para seancës konstituive të Kuvendit, përpjekja e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për të takuar partitë opozitare ka prodhuar dy refuzime dhe një konfirmim.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë bërë të qartë se nuk do t’i bashkohen takimit, ndërsa LDK-ja ka pranuar ftesën dhe do të ulet në tavolinë me Kurtin të martën në orën 18:00.

Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së e lë LDK-në si të vetmen parti me të cilën Vetëvendosje mund të negociojë një marrëveshje më të gjerë politike.

Edhe pse LVV-ja ka siguruar numrat për formimin e qeverisë, asaj i mungojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, ndaj bisedimet me LDK-në konsiderohen kyçe.

Ndërkohë, PDK-ja ka ritheksuar se do të mbetet në opozitë, ndërsa AAK-ja ka deklaruar se nuk synon të hyjë në qeveri, por është e gatshme të ndihmojë në themelimin e institucioneve vetëm nëse adresohen gjashtë kërkesat e saj, që përfshijnë çështje të energjisë, ekonomisë dhe investimeve kapitale.

Takimi Kurti–LDK zhvillohet pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut në krye të partisë dhe mund të japë sinjalin e parë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje para seancës konstituive të 6 gushtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë