Futboll

Takim i fshehtë Barça-Inter, arrihet akordi për mesfushorin kroat

Interit nuk i ndahet mesfushorëve kroat, por gjithashtu edhe merkatos në Spanjë. Pas Luka Modriç, kroati i radhës në radarët e Interit është Ivan Rakitiç. Mesfushori 30-vjeçar nuk është i lumtur në Barcelonë dhe ky sezon duket të jetë i fundit me fanellën “blaugrana”. Para disa ditësh në mediet italiane shkruajnë për një interesim në rritje të Interit për Rakitiç, duke parë se pista Modriç po kthehej në një mision të pamundur.

Gjithë historia e largimit të mundshëm të Rakitiç nga Barcelona dhe transferimi te Inter, e ka zanafillën në verën e vitit 2018-të. Mesfushori kroat pas kampionatit botëror “Rusi 2018” bëri kërkesë në klub për të rinovuar kontrata me një përmirësim të termave financiarë. Por përgjigja e drejtuesve të Barcelonës ishte krejtësisht e ndryshme, jo vetëm që nuk iu ofrua rinovimi, por për më tepër e nxorën në shitje. Rakitiç nuk pranoi të largohej dhe gjatë pjesës së parë të sezonit në “Camp Nou” ishte në stol. Duke parë këtë situatë të Rakitiç dhe mbylljen e derës që mori nga Reali për Modriç, Interi mendoi të hidhej në sulm.

Kroati ka një klauzolë largimi nga Barcelona prej 120 milionë eurosh. Por në këtë situatë që janë palët dhe duke futur në mes aftësitë e shkëlqyera negociuese të Bepe Marotës, Inter do të provojë ta marrë në Milano kroatin për jo më shumë se 60 milionë euro. Sipas disa medieve Apenine gjatë mbrëmjes së të martës ka pasur një takim sekret mes drejtuesve të Inter dhe atyre të Barcelonës për të diskutuar për Rakitiç. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe agjenti i Rakitiç, që duket se intrigohet nga një aventurë në Itali. Palët parimisht kanë një akord që të vijojnë me bisedimet dhe nëse gjërat shkojnë siç duhet Rakitiç do e vishte fanellën zikaltër që me hapjen e merkatos në qershor. Te Inter ai do të ishte lideri i mesfushës dhe për më tepër përshtatjen do e kishte më të thjeshtë, pasi shokët e kombëtares, Perisiç dhe Brozoviç do të ishin një ndihmesë e madhe. Në rast të një mungese rinovimi për Mauro Ikradin deri në fundin e këtij sezoni, Rakitiç do të bëhej edhe futbollisti më i paguar te Inter, pasi klubi zikaltër besohet t’i ketë ofruar 6 milionë euro plus bonueset.

Për Inter arritja e Rakitiç do të ishte godtija e dytë nga Spanjë në merkato. Më herët zikaltërit kanë firmosur një para kontratë me mbrojtësin e Atletiko Madrid, Diego Godin. Gjithashtu Marota është një negociata të avancuara me mesfushorin e talentuar italian të Atalantës, Bastoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë