BE: Prezumimi i pafajësisë element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda, që la në arrest shtëpie ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Delegacioni i BE ne deklaratën e tij ka theksuar “Përgëzojmë punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe zhvillimet e fundit pozitive lidhur me hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa rikujton se prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore”.
Delegacioni i BE pret nga autoritetet shqiptare të vazhdojnë me vendosmëri luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilën e cilëson thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
SHBA: Pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend
Ambasada e SHBA “arrestin shtëpiak” të Saimir Tahirit e ka cilësuar si “shenjë që kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”.
Ambasada amerikane ka vlerësuar edhe operacionet e fundit policore. “Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend”.
Ambasada e SHBA e mbyll reagimin e saj duke përgëzuar punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda.
Dita e parë e Tahirit në arrest shtëpiak
Gjykata e Krimeve të Rënda, pasditen e të shtunës së 12 majit vendosi masën e ndalimit “arrest shtëpie” për ish ministrin e Brendshëm dhe ish deputetin e PS, Saimir Tahiri, ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar “arrest në burg”. Ai pritet të njihet me masën e sigurisë brenda 72 orëve.
Maks Haxhia, avokati mbrojtës i Tahirit deklaroi se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda, pasi nuk ka asnjë provë ndaj klientit të tij.
E diela e 13 majit ishte dita e parë e arrestit shtëpiak për Saimir Tahirin dhe sic raportohet, një pjesë të mirë të kohës, ish ministri e ka kaluar në ballkonin e banesës së tij me dokumenta, kafe, cigare dhe telefonata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.