Politike

Tabaku: Nuk ka asnjë emër të PD në dosjen e Ahmetajt

Mesditën e së premtes, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka mohuar se në dosjen e SPAK për inceneratorët ka dhe deputetë të opozitës, teksa ka kërkuar mbështetje maksimale për SPAK pas miratimit në Kuvend të kërkesës për arrestimin e Arben Ahmetajt.

"Unë besoj që kjo ka qenë një kauzë e drejtë e PD dhe opozitës duke arritur që sot të çojë para drejtësisë tre ministra të kësaj qeverie. Besoj se duhet t’i japim mbështetje maksimale SPAK. Sot u mbyll një kapitull dhe urojmë të hapet një kapitull i ri.

Unë nuk kam lexuar asnjë emër nga opozita të përfshirë në atë dosje. Nuk ka asnjë emër nga opozita. Ky është një shembull si funksionon shteti i kapur në Shqipëri. Sot ky është lajmi dhe opozita i qëndroi në këmbë për 6 vite duke e denoncuar këtë aferë”, tha Tabaku.

Por një ditë më parë në një prononcim për mediat, i pyetur për përmbajtjen e dosjes “Ahmetaj”, Deputeti i PD Saimir Korreshi, anëtar i Këshillit të Mandateve la të kuptojë se në atë material ka edhe deputetë të opozitës.

“Me të thënë të drejtën, sikur më ra syri diçka, por është shpejt ta them se nuk e kam studiuar materialin. Këto janë materiale që duhen lexuar me vëmendje”, tha Korreshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë