Lajme

Tabaku: Kompania e frutave, 151 herë i njëjti itinerar, kushedi sa kokainë ka transportuar

Ish-deputetja Jorida Tabaku, ka publikuar udhëtimet me anije të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, kompania që kishte porositur bananet pas 137 kilogramëve me drogë që kishin destinacion portin e Durrësit. Sipas faqes që tregon udhëtimet e anijeve me ngarkesë, rezulton se kompania në fjalë ka kryer 151 udhëtime me të njëjtin itinerar . Tabaku thotë se ky është një ndër rastet që vërteton protagonizmin e Shqipërisë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Demokratja shkruan se Shqipëria e cila kërkon integrimin në BE është kthyer në një vend kyç sa i takon drogërave, janë 3 raste të paraqitura për publikun këto ditë që vërtetojnë protagonizmin (ashtu si është bërë e udhës këto 6 vitet e fundit) në trafikun ndërkombëtar të drogës.

“Rasti më i bujshëm ishte ai i disa ditëve më parë ku një sasi rekord kokaine u kap falë ndërhyrjes se DEA-s. Por porositësi i shpëtoi aksionit. Faqja që tregon udhëtimet e anijeve me ngarkesë zbulon se kompania Alba Exotic Fruit shpk, (https://panjiva.com/Alba-Exotic-Fruit-Shpk/29513544) ka kryer 151 udhëtime me të njëjtin itinerar. Secili prej nesh e ka të thjeshtë të kryejë llogaritë se sa kg kokainë mund të jenë transportuar. Një nga kriteret e vendosura nga Bundestag lidhet me trafikimin e lëndëve narkotike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një bazë për drogat e forta dhe nyjë në trafikun ndërkombëtar”, shkruan Tabaku në rrjetet sociale.

Foto ku tregohet numri i lëvizjes me anije të firmës importit dhe eksportit të frutave

Më tej ajo thekson se mazhoranca nuk ka vullnet politik për të plotësuar kushtet e vendosura
nga BE-ja për procesin e integrimit. “Integrim do të thotë plotësimi kushteve, kjo e fundit do të thotë vullnet politik dhe kjo mungon. Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë peng i politikës së kësaj qeverie dhe mazhorance. Shqipëria ka nevojë për politikanë seriozë, për rezultate konkrete e jo për propagandë. Trafiku i drogës e lufta ndaj krimit të organizuar përherë e më shumë po theksohen si kritere si shkak i mungesës së progresit në to! Nuk është kjo Shqipëria që meritojnë femijët tanë, nuk është kjo rruga Europiane e Shqipërisë! Me Edi Ramën nuk mund të ketë Shqipëri europiane!”, shkruan Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë