Politike

Tabaku: Boll me 18 taksa dhe qindra licenca burokratike

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, foli për një politikë të re fiskale, kur prezantoi programin ekonomik të opozitës gjatë një fjale në Dhomën Amerikane të Tregtisë ku u prezantua Indeksi i Biznesit 2019-2020.     

“...Një qeveri e madhe, e mbushur me institucione dhe agjenci që kanë përplasje dhe vështirësojnë jetët e biznesit. Institucione, leje, autorizime, licenca që i marrin ditë jete sipërmarrjes, para edhe energji investitorit dhe që veç burokracisë dhe korrupsionit nuk prodhojnë efiçencë në treg. Një sistem fiskal i cili më shumë të shtyn të shpenzosh para dhe energji për t’iu shmangur se sa për të paguar taksat...

Një atmosferë aspak shqiptare e mikpritjes së të huajve. Korrupsion dhe një perspektivë negative për ekonominë. Ekonomi në krizë dhe besim në rënie. Këto të vërteta të dhimbshme janë shtysa për rikonceptim themelor për të nesërmen:  politikë e re fiskale dhe rishikim tërësor i mënyrës së si do të funksionojë marrëdhënia me biznesin”, tha Tabaku.

Ajo foli për domosdoshmërinë e zbatimit të taksës  së sheshtë 9%.

“Taksa e sheshtë do të ndihmojë në luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit0 dhe do ta bëjë këtë sistem më të thjeshtë dhe transparent. Kështu kontabilistët nuk do vrasin mendjen si t’i gjejnë anën taksave, por si të rrisin eficencën e kompanive ku punojnë...Boll më me 18 taksa dhe mbi qindra licensa që ju ngarkojnë me burokraci.

Boll me ndryshime të pakuptimta e tendencioze të legjislacionit siç ka ndodhur në këto 7 vite. Ku ligjet fiskale dhe sistemi tatimor i janë kryer 150 ndryshime.

Ju keni nevojë për qartësi e parashikueshmëri dhe ne kemi nevojë për suksesin e sipërmarrjes”, tha ajo

Sipas saj, shteti duhet të ketë rregulla të thjeshta për të gjitha nivelet dhe llojet e konkurrencës.

“Ne jemi të qartë që për të krijuar atmosferën e nevojshme për biznes dhe për t’u rikthyer kompetitivë në rajon do të duhet të angazhohemi edhe në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, në eliminimin e licencave dhe lejeve të padobishme dhe përsëritëse që janë kthyer barrë për biznesin.

Duhet të largojmë nga rregullat institucionale dhe praktika e përditshme vizitat e vazhdueshme e bezdisëse të dhjetëra inspektoriateve...”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë