Njerez

“Ta besojmë, apo jo?”- Në Shqipëri po luhet tragjedia e Covid-19

Në rrëmujën e Bulevardit Zogu i Parë i cili pasi u shqep tërësisht, ka nisur të rindërtohet, ata të dy ti kap syri kaq lehtë.

Janë një çift normal tek të 60-at ndoshta, por ajo që i bën të ndryshëm është “parzmorja” plastike përpos maskës kirurgjikale që mbajnë nën të për t’u ruajtur nga koronavirusi.

Stonojnë me pjesën tjetër të komunitetit në rrugë, ku tek-tuk gjen njerëz që mbajnë maska të thjeshta e të tjerë syresh janë pa maska fare e mandej të tjerë edhe pse mund ta kenë vënë në mëngjes maskën kur kanë dalë nga shtëpia, e kanë ulur në gushë gjatë rrugës ose e kanë mbledhur në grushtin e njërës dorë.

Tereze Çela me bashkëshortin

“Këtë e kam blerë 40 euro unë dhe 40 euro im shoq. Kam ardhur nga Greqia dhe nuk dua që njerëzit ku shkoj të infektohen nga dikush dhe të mbaj unë barrën sepse kam ardhur me avion nga jashtë. Sepse në Shqipëri analizat njerëzit kujtohen t’i  bëjnë kur iu dhemb diçka, ne në Greqi edhe po të duam të mos i bëjmë, nuk na lë mjeku i familjes. Çdo 6 muaj jemi të detyruar të bëjmë të gjitha analizat. Kështu që këtu asnjë nga asimptomatikët nuk e di që është i infektuar dhe unë këtë maskë plastike e mbaj për të të ruajtur ty, jo veten. ”- thotë Tereze Çela për gazetën “Si”.

Ajo tregon se nëse kujdeset, beson që nuk do të infektohet. Ajo e beson ekzistencën e COVID-19 sepse sipas saj ka patur njerëz të afërt të cilët disa e kanë kaluar jo mirë dhe të tjerë më lehtë.

Ajo shpjegon se edhe në Greqi kujdeset po njësoj. “Këtu në Shqipëri ka papërgjegjshmëri. Nuk kujdesen njerëzit; as për veten, as për të tjerët. Grekët janë më të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj koronavirusit. Ata i respektojnë të gjitha rregullat të deklaruara nga autoritetet, kurse shqiptarët që janë atje, kryesisht jo. Pastaj kur grekët bëhen me shqiptarët, influencohen dhe ndalin së respektuari rregullat”- thotë znj Çela.

Pas shfuqizimit të karantinës e kur gati të gjitha aktivitetet ekonomike dhe jetësore kanë rinisur dhe njerëzit duken përgjithësisht të shpenguar , si më parë, në çdo gjë që bëjnë,  duke kujtuar se COVID është larguar, por në fakt shifrat janë më kokfortë dhe më të larta se  gjatë karantinës.. Vetëm sot (të hënën) numri i rasteve të reja të raportuara me Covid-19 në 24 orët e fundit ishte 64 persona.

Pavarësisht statistikave alarmante, njerëzit kanë qasjen e tyre rreth koronavirusit.

Disa janë skeptikë kah ekzistencës së tij, të tjerë e besojnë, por nuk kanë frikë, syreshë të tjerë pasi janë traumatizuar në fillim të izolimit, mendojnë se e keqja ka kaluar, të tjerë kanë tepër frikë ende.

Një hidraulik mendon se tashmë e keqja ka kaluar.

“Unë mendoj se e madhja ka kaluar dhe vazhdoj të punoj. Çfarë mund të bëj? Jeta vazhdon dhe familja e unë duam të hamë”- thotë ai.

 Kurse Elsa, e cila është punonjëse e gjelbërimit të bashkisë, të cilën e ndesh në rrugë pranë Muzeut Kombëtar, më thotë se nuk ka frikë dhe nuk e beson se ekziston Covid-19.

“Deri tani nuk njoh askënd që të jetë infektuar”- thotë ajo.

Të njëjtën gjë më thotë dhe një roje i ri në moshë në një nga degët e një banke në Tiranë, i cili me qasjen që ka ndaj Covid-19 sigurisht që nuk mban maskë.

Mandej përballem me rojen e një dege të një banke tjetër. Ai është më në moshë dhe e ka një maskë në fytyrë, por të ulur deri poshtë buzëve.

“Kam frikë dhe përpiqem të ruhem. Nuk njoh ndonjë njeri konkret që të jetë infektuar, por me ato që dëgjojmë në televizor korona ekziston dhe kujdesem që të mos sëmurem”- thotë ai.

Flora Muçaj me bashkëshortin janë ulur në lulishte tek Sheshi Skënderbei. Po pushojnë në një stol nën pemë.

Ai e ka mbledhur në grusht maskën, kurse ajo sapo I avitem e ngre nga gusha përmbi hundë.

Flora Muçaj me bashkëshortin

“Ruhemi sepse kemi frikë, edhe pse nuk njohim askënd që të jetë infektuar. E mbajmë kudo maskën, edhe në rrugë”- thotë znj. Muçaj.

Kurse i shoqi duke ngritur gishtin drejt qiellit thotë “vetëm nga Ai lart kam frikë. Por kujdesem”.

Anisa kardiologe mendon se e ka kaluar koronavirusin në muajin janar dhe tani nuk ka më frikë. Në krye të herës gjatë karatinës, ajo thoshte se nuk kishte frikë, por dalëngadalë me shtimin e rasteve ajo tregon “ se situata nuk është edhe aq mirë”.

Por ka dhe nga ata që mendojnë se përpos që më e keqja ka kaluar, ne duhet të bashkëjetojmë me këtë virus, ashtu siç kemi një jetë që e bëjmë me virozat e stinës.

Alina është studente për financë dhe diplomohet këtë vit. Ajo tashmë nuk ka më frikë.

“Në fillim të karantinës kur situata ishte e re dhe e panjohur, pësova traumë psikologjike, E mora veten dora-dorës. Nuk mund të them që s’kam fare frikë, apo kam frikë. Nga njëra anë përballem me shifrat, nga ana tjetër nuk njoh njeri që të ketë kaluar koronavirusin. Por tani që gjithçka u hap, unë  po frekuentoj palestrën. Aty respektohen rregullat, por gjithsesi jemi shumë persona dhe asnjë i infetktuar. Edhe jashtë palestrës nuk njohë dikënd që është i infektuar. Gjithsesi ne do të jetojmë, nuk do ndalim jetën. Unë do të shkoj në palestërm në supermarket, në qendër tregtare, tek estetistja, ndoshta bashykë me Covid-in.  Do të bashkëjetojmë me koronavirusin si me gripin”- thotë Alina.

Kurse Shpresa, pensioniste e moshuar, e cila nuk ka sëmundje kronike, thotë se rregullat e karantinës i respektoi aq sa duhej sipas saj.

“Nuk mund të respektoj rregulla që më bëjnë mua keq. Kam nevojë për natyrë, për shëtitje se përndryshe çmendem. Qëndroj larg njerëzve. Tani nuk po merret vesh”- thotë ajo.

Në këtë zallamahi perceptimesh e qasjesh  teksa jeta në Tiranë gumëzhin si përpara izolimit, dhe sjellja e Covid-19 nuk është përkufizuar ende plotësisht dhe përfundimisht, na duhet një autoritet që të ngjallë besim në masë duke qenë transparent se çfarë ndodhë në Shqipëri me koronavirusin sepse ka shqiptarë që nuk besojnë më nëse nuk i shikojnë gjërat. Por të ofrosh sëmundjen dhe viktimat në shkëmbim të besimit është një tragjedi .

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë