Politike

Shtimi i rasteve me Covid-19, Meta: Duhet strategji konkrete, jo mediatike

Presidenti Ilir Meta thotë se Shqipërisë i mungon një strategji konkrete në përballimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi. Ai shprehet i shqetësuar në lidhje me shtimin e rasteve të reja në krahasim me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës. Për këtë, Presidenti kërkon me urgjencë një reflektim serioz, përgjegjshmëri dhe transparencë.

“Në veçanti është e domosdoshme të rritet besueshmëria e menaxhimit të pandemisë, tani kur po hyjmë në pikun e sezonit turistik, në mënyrë që të përfitojmë maksimalisht prej tij. Nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, shkruan kreu i shtetit.

Presidenti kërkon thellimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit me vendet e rajonit, BE-në dhe me OBSH-në që të harmonizohen veprimet dhe shkëmbyer informacione në kohë reale për orientimin e një strategjie që lejon daljen më të sigurtë nga pandemia. Ai bën thirrje që të respektohen me përpikmëri protokollet shëndetësore të sigurisë.

“Theksoj domosdoshmërinë për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore dhe masave parandaluese. Është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”, mbyll reagimin e tij Presidenti Meta.

Presidenti e ka shoqëruar këtë reagim me publikimin e një lajmi të Zërit të Amerikës, ku theksohet se vetëm në tre javët e fundit, rastet e reja me koronavirus janë thuajse në të njëjtat nivele me rastet totale të regjistruara përgjatë tre muajve të parë të pandemisë.

Në tre javët e fundit të qershorit, pra deri më datë 28 numërohen 1139 raste, ndërkohë që nga 9 marsi deri më 9 qershor ishin 1263 të tilla. Ritmet e larta të rasteve nuk po dëshmojnë as një tendencë rënëse. Rastet me koronavirus, janë përhapur thuajse në të gjithë vendin, dhe të infektuarit po vërehen në ndërmarrje private dhe institucione publike.

Ministria e Shëndetësisë vijon të përsërisë thirrjet drejtuar qytetarëve për zbatimin e rregullave të sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë